Tensionet mes partnerëve të koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE dhe Lëvizjes BESA, janë thelluar pas deklaratave të ndërsjella lidhur me rikonstruimin e mundshëm të kabinetit dhe pozitën e disa ministrave, përcjell INA.
Qëndrimet e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kryetarit të Besës, Bilall Kasami, tregojnë përçarje të hapur në raportet politike brenda shumicës.
I pyetur për deklaratat e Kasamit lidhur me shkarkimin e mundshëm të ministrit Fatmir Limani, kryeministri Mickoski tha se nuk ka informacion të tillë dhe se është i kënaqur me punën e tij.
Ai theksoi se Limani paraqet “vlerë të shtuar” në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, duke nënvizuar se kompetenca për përbërjen e qeverisë i takon atij si mandatar.
“Unë jam mandatar i qeverisë dhe unë e përbëj qeverinë. Nëse dikush e ka harruar këtë, ja ta rikujtoj”, deklaroi Mickoski.
Në të njëjtën linjë ironike, Mickoski komentoi edhe deklaratën e Kasamit se ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, mund të përfshihet në rikonstruim. “Nuk e di, ndoshta duhet ta pyesni z. Bilall Kasamin”, tha ai.
Nga ana tjetër, Kasami nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt reagimet e Mickoskit dhe as deklaratat e ministrit Fillkov, i cili kishte thënë se “Kasami mund ta shkarkojë kur të bëhet kryeministër”. Kreu i Besës u shpreh shkurt para mediave se çështjet politike do të diskutohen në mbledhjen e kryesisë së partisë.
“Atë që kisha ta them e thashë mbrëmë. Sot në mbrëmje do të kemi mbledhje të kryesisë dhe do t’i diskutojmë të gjitha çështjet”, deklaroi Kasami.
Përplasjet publike dhe komunikimi me tone të ashpra mes dy figurave kryesore të partnerëve të koalicionit kanë shtuar spekulimet për krisje serioze në raportet VMRO-DPMNE–BESA.
Mbledhja e paralajmëruar e organeve partiake të Besës pritet të japë sinjale më të qarta nëse bëhet fjalë për presion politik në prag të rikonstruimit, apo për një fazë që mund të çojë drejt rishikimit të rolit të saj në qeveri.(INA)









