Anëtarët janë të vendosur të bashkojnë përpjekjet e tyre për mbrojtje kolektive dhe për ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Traktati i Atlantikut të Veriut, Uashington DC, 1949
Parafjalë
Sivjet, Samiti i NATO-s do të mbahet në Ankara, por, pas zotimeve në samitin e Hagës, shumica e udhëheqësve evropianë kanë bërë pak për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 % të PBB-së. Edhe sot, që janë të shqetësuar nga luhatjet në retorikën gjeopolitike, nuk janë të gatshëm ta pranojnë plotësisht këtë çmim. Debatet e tyre, që shkojnë nga një ushtri evropiane deri te zëvendësimi i NATO-s nga Bashkimit Evropian e detyruan Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, t’u thoshte parlamentarëve evropinë të Komisioneve të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashme: “Nëse dikush këtu mendon se Bashkimi Eevropjan ose Evropa në tërësi, mund të mbrohet pa Shtetet e Bashkuara, le të vazhdojë të ëndërrojë”.
Pentagoni ka lënë të nënkuptohet se do të donte që Evropa të merrte përsipër mbrojtjen e vet që vitin e ardhshëm pa qartësuar rolin që do të kishin SHBA atëherë. Skenarët sillen nga një zvogëlim gradual i mbështetjes amerikane, ku ombrella bërthamore mbetet e paprekur dhe shumica e rreth 85,000 trupave amerikanë do të vazhdojnë të qëndrojnë të rreshtuar në Evropë; deri tek një partneritet rrënjësisht i reduktuar në të cilin Uashingtoni kufizohet vetëm në shitjen e armëve.
Të shtrënguar për të mos rënë viktima të rendit të ri
Për 70 vjet, Evropa perëndimore krijoi lidhje tregtare dhe sigurie shumë të ngushta me Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk mund të çbëhen shpejtë dhe pa kosto. Për momentin, po përpiqen të shmangin një luftë tregtare të dëmshme ose përballje në çështjet e sigurisë. “Pavarësisht frustrimit dhe zemërimit tonë, nuk duhet ta mënjanojmë nxitimthi partneritetin transatlantik,” tha kancelari gjerman Friedrich Merz në Davos. Kështu, vendet evropiane po thellojnë lidhjet e mbrojtjes dhe të sigurisë me vendet demokratike aziatike, si: me Japoninë, Korenë e Jugut, Singaporin, Australinë dhe Zelandën e Re, të cilat ndajnë të njëjtat kërcënime nga Rusia dhe Kina: Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Japonia po bashkëpunojnë për një avion luftarak të gjeneratës së gjashtë; Polonia po blen tanke nga Koreja e Jugut, vendet baltike artileri dhe Norvegjia raketa me rreze të gjatë veprimi. Ndërsa BE po përparon me marrëveshjet e tregtisë së lirë me Indinë, vendet e Mercosur-it dhe me Australinë. “Po bëjmë një zgjedhje të qëllimshme: hapje kundër proteksionizmit, bashkëpunim kundër copëzimit dhe tregti të bazuar në rregulla kundër të papriturave”, thotë Komisioneri i BE-së Maroš Šefčovič.
A mundet Rusia të jetë gati të sulmojë më shpejt sesa pritet?
Rusia, sot, ka kaluar në një ekonomi lufte dhe po përqendron burimet kombëtare në një program riarmatimi dhe rekrutimi ushtarak, që shkon përtej nevojave të fushatës në Ukrainë. Deri pak kohë më parë, kryeqytete evropiane mendonin se Rusia nuk do të ishte në gjendje të kërcënonte NATO-n deri në vitin 2029 ose më vonë, por tani po rritet konsensusi se një krizë e tillë mund të vijë shumë më shpejt, më parë se Evropa të jetë në gjëndje t’i kundërpërgjigjet. “Vlerësimi ynë,” thotë Ministri i Mbrojtjes i Holandës, “është se Rusia do të jetë në gjendje të lëvizë një numuër të mëdha trupash brenda një viti.” Planifikuesit ushtarakë të NATO-s nuk po shqetësohen vetëm për vendet balitike, por edhe për planet e mundshme ruse në ishujt suedezë, finlandezë dhe danezë në Detin Baltik; për pjesë të Polonisë dhe të veriut të lartë norvegjez dhe finlandez; si dhe për një fushatë sulmesh në infrastrukturën strategjike evropiane që shkon deri në Roterdam.
Debati mbi shpejtësinë e kërcënimit rus përcakton natyrën e planifikimit ushtarak evropian. Skeptikët theksojnë ritmin e ngadaltë të përparimeve ruse në Ukrainë, ku Putini ka humbur më shumë se një milion trupa. Presidenti finlandez Alexander Stubb beson se Presidenti Putin ka dështuar, praktikisht, në gjithçka që ka ndërmend të bëjë, pra nuk duhet mbivlerësuar kapaciteti rus. Personalitete të tjera evropiane vërejnë se Rusia, ndërsa rekruton rreth 35,000 trupa në muaj, humbet çdo muaj rreth 30,000 në fushat e betejës.
Strategjia e re e mbrojtjes kombëtare amerikane vëren se Rusia “do të mbetet një kërcënim i vazhdueshëm, por i menaxhueshëm” për anëtarët lindorë të NATO-s dhe shton se Rusia “nuk është në gjendje të bëjë përpjekje për hegjemoni evropiane,” sepse aleatët evropianë e tejkalojnë në aspektin e popullsisë, ekonomisë dhe fuqisë ushtarake latente. Kjo është arsyeja pse Rusia nuk do të përpiqej të bënte kundër NATO-s llojin e luftës shkatërruese, që po praktikon në Ukrainë. Nga ana tjetër, ekspertët e luftës tokësore dhe doktrinës në Kolegjin Universitar të Mbrojtjes Norvegjeze mendojnë se lufta e zgjatur do të ishte e dëmshme për Rusinë sepse Evropa do ta tejkalonte në prodhim ushtarak dhe mobilizim.
Copëzimi
Evropianët optimistë vënë në dukje superioritetin dërrmues të Evropës ndaj Rusisë: më shumë trupa nën armë, 1 850 000 kundrejt 1 130 000; dy herë më shumë tanke dhe automjete luftarake këmbësorie; disa herë më shumë shpenzime për mbrojtjen, 404 miliardë euro kundrejt 121 miliardë; tre herë më shumë transportues avionësh dhe katër herë më shumë anije luftarake. Por, ata nuk thonë se kjo forcë është thellësisht e fragmentuar dhe se problemi nuk qëdron tek armët dhe aftësia e Evropës për t’i grumbulluar, por tek autoriteti për t’i lidhur këto njësi së bashku. Pos kësaj, evropianët kanë mungesa të madha armatimesh bazë, si: municione, interceptorë tokë-ajër, dronë, raketa me rreze të gjatë veprimi, madje edhe pajisjet, që duken mbresëlënëse në letër nganjëherë mirëmbahen aq keq sa janë më shumë pengesë sesa aset. Sidoqoftë, shumë nga problemet, që lidhen me kapacitetet e sotme mund të zgjidhen, por mangësitë, që mbizotërojnë në katër fusha kryesore: në hapësirë, mbrojtjen ajrore, armët bërthamore dhe uniteti i komandës janë tepër të vështira për t’u zgjidhur.
Satelitët
Ushtritë moderne mbështeten te satelitët jo vetëm për inteligjencë, mbikëqyrje dhe zbulim (ISR), por edhe për sistemet e komunikimit, navigimit, udhëzimit dhe për paralajmërimin e hershëm të lëshimeve të raketave nga armiku. Në këtë fushë, Evropa është e varur nga SHBA: më shumë se 80 % e raporteve ISR janë amerikane. Pranverën e kaluar, kur Uashingtoni papritur ia preu të dhënat satelitore Ukrainës, evropianët vunë re se jo vetëm raketat e shumëfishta Himars dhe Atacms me goditje të thellë pushuan së funksionuari, por ukrainasit e kishin shumë të vështirë të identifikonin dhe të godisnin objektivat.
Satelitët evropjanë janë të pamjaftueshme dhe të cenueshëm ndaj sulmit rus. Ata ofrojnë vetëm një pamje të ngadaltë dhe të kufizuar të lëvizjeve të trupave, larg kërkesave të një lufte mbrojtëse kundër Rusisë. Kjo do t’i detyrojë evropianët të hartojnë një strategji krejtësisht të re ushtarake, që nuk do të mbështetej më në aftësinë për të gjetur dhe eliminuar me saktësi nyjet e komandës dhe logjistikës thellë pas vijave të armikut. Lëshuesi Ariane 6, i udhëhequr nga francezët, pritet të ofrojë vetëm dhjetë fluturime në vit. Sidoqoftë, ekspertët ushtarkë mendojnë se amerikanët do ta kishin të vështirë të përjashtonin evropianët nga sistemi i tyre i navigimit GPS edhe nëse do të donin, pasi shërbimi alternativ i ofruar nga Sistemi Satelitor i Navigimit Global i BE-së po përmirësohet vazhdimisht, po kështu, një firmë finlandeze, ICEYE, po ndërton mikrosatelitë të klasit botëror. Gjatë pesë viteve të ardhëshm, Gjermania do të investojë 35 miliardë euro për mbrojtjen hapësinore. Në krahasim me shpenzimet amerikane, shuma nuk është e madhe, por, sidoqoftë, është një fillim.
Mbrojtja ajrore
Vlerësime nga brenda NATO-s venë në dukje se Evropa ka vetëm 5 % të sistemeve të mbrojtjes ajrore, që i nevojiten për të mbrojtur krahun e saj lindor. Kjo dobësi ra në sy vjeshtën e kaluar, kur më shumë se një duzinë dronë rusë mundën të fluturonin më shumë se njëqind e pesëdhjetë kilometra në hapësirën ajrore polake. Këtu, varësia nga amerikanët është pak më delikate: arkitektura qendrore e komandës dhe kontrollit të NATO-s është, kryesisht, amerikane dhe mbrojtja evropjane kundër sulmeve me raketa balistike është e pamjaftueshme në raport me sistemin amerikan Aegis BMD. Sidoqoftë, mbrojtja nga dronët po përparon: Polonia dhe shtetet baltike po hartojnë plane për një “mur dronësh,” relativisht të lirë, për të eliminiuar kapacitete ushtarake përgjatë kufirit të tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë. Po kështu, Nordic Air Defence, një startup me seli në Stokholm, po punon për një raketë miniaturë të quajtur Kreuger 100XR, që synon të rrëzojë dronët nga qielli për vetëm 5,000 dollarë.
Ombrella bërthamore
Që nga themelimi i NATO-s, aleatët e kishin të qartë se një sulm i madh nga Kremlini, mbarte rrezikun e kthimit të çdo qyteti rus në siluetë, që nga perëndimi i Rusisë deri në Vladivostok; por nëse SHBA, që numëron 5117 koka (apo bomba) bërthamore, do të tërhiqeshin nga ky angazhim, Evropa do të varej nga dy fuqitë e veta bërthamore: Britania e Madhe dhe Franca, që kanë, respektivisht, 290 dhe 225 koka, të cilat janë shkurajues të pafuqishëm kundrejt Rusisë me 5459 copë.
Studiues të politikave bërthamore sugjerojnë se arsenali bërthamor evropjan nuk mund të zëvendësojë ombrellën bërthamore amerikane sepse ajo, jo vetëm që është e madhe, por edhe e larmishme. Inventari i saj përfshinë raketat balistike, që lëshohen nga sipërfaqja; raketa, që lëshohen nga nëndetëset, si dhe bomba gravitacionale ajrore. Sot, rreth 100 bomba B61 janë të dislokuara në Belgjikë, Hollandë, Gjermani, Itali dhe Turqi, gjë që u jep amerikanëve jo vetëm mundësinë për të mbrojtur aleatët e tyre evropianë; të asgjësojnë një pjesë të madhe të aftësisë shkurajuese bërthamor të Rusisë; por edhe mundnësinë të përshkallëzojë kërcënimet në mënyrë të diferencuar, d.m.th., goditjeje me mbushje bërthamore taktike me rendiment të ulët kundër ndonjë objektivi krejt ushtarak.
Debatet për krijimin e një sistemi parandalues bërthamor “evropian” nuk kanë asnjë shans të arrijnë konsensus për një sistem komande kolektiv. Prapa skenave, Franca, Gjermania dhe Britania janë në bisedime sekrete të nivelit të lartë rreth intensifikimit të bashkëpunimit në se do të përballen me një tërheqje të papritur të SHBA, që, sipas një raporti të zbuluar nga Reuters në dhjetorin e kaluar, mund të vijë në vitin 2027. Suedia, dikur një aktiviste e paepur e ndalimit të armëve bërthamore, dëshiron t’i bashkohet këtyre bisedimeve, ndërsa Polonia po shqyrton programin e saj bërthamor. Sidoqoftë, në një situatë të vështirë, Franca mund të zgjerojë flotën e vet të avionëve Rafale për të transportuar bomba apo raketa bërthamore në vende të tjera evropiane.
Kush do të marrë komandën?
Analistja gjermane Jana Puglierin, në librin e saj “Kush do ta mbrojë Evropën?”, argumenton se Shtetet e Bashkuara kanë formuar “shtyllën kurrizore politike dhe ushtarake të të gjithë projektit evropian të pasluftës dhe nuk mund ta marrim me mend se çfarë mund të ndodhë nëse kjo shtyllë kurrizore shkatërrohet papritur…”. Sipas këtij arsyetimi, sot, nuk është e qartë nëse ndonjë vend i vetëm mund të marrë drejtimin e shkurajimit dhe mbrojtjes evropiane. Nga ana tjetër, struktura komanduese dhe proceset e brendshme të NATO-s janë aq të ndërthurura me SHBA-të sa është e vështirë të imagjinohet se si mund të vazhdojë Aleanca pa amerikanët dhe jo vetëm për shkak të mungesës akute të gjeneralëve evropianë me përvojë në udhëheqjen e formacioneve të mëdha.
Kjo situatë ka shtyrë disa kryeqytete evropiane të planifikojnë individualisht se si ta mbajnë NATO-n funksionale në rast të një tërheqjeje të SHBA-së. Në këtë skenar, qendrat e ardhshme të pushtetit do të shpërndaheshin në aleanca rajonale nën ombrellën e NATO-s, si: “Trekëndëshi i Vajmarit” franko-gjermano-polak apo Forca e Përbashkët e Ndërhyrjes (Joint Expeditionary Force) e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, e cila bën bashkë Hollandën dhe tetë vendet nordike dhe baltike: Denmarkën, Finlandën, Iselandën, Norvegjinë, Suedinë, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë. Megjithatë, vendet në vijën e frontit, si: Finlanda, Polonia dhe shtetet baltike mund të ofrojnë thelbin institucional të një pakti më të fortë për të penguar Kremlinit nga çdo përpjekje për pushtim.
Për një NATO evropiane me një PBB prej 23 trilionë euro dhe popullsi prej më shumë se 700 milionë, përballja me Rusinë me PBB 2.9 trilionë euro dhe popullsi 143 milionë, në letër, është e arritshme. Kështu, në Evropë po ngre krye idea se sa më shumë të bëjnë evropianët për të mbrojtur veten, aq më shpejt do të jenë të pavarur. Por, sot, NATO me një prani të plotë amerikan është e domosdoshme për të ruajtur unitetin, sigurinë dhe mbrojtjen e Evropës, ndërsa përgjegjësia e Bashkimi Evropian është domosdoshmëria e integrimit ushtarak dhe të industrive kombëtare të mbrojtjes.









