Prej më shumë se tre javësh, Tirana është përfshirë nga protesta të vazhdueshme ku qytetarë kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në tubimin e fundit, një rol të veçantë kanë luajtur edhe shqiptarët e ardhur nga diaspora, të cilët iu bashkuan masivisht protestuesve në shesh.
Në këtë kontekst, është rikthyer në vëmendje edhe një fjalim i mëparshëm i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka vlerësuar rolin e mërgatës dhe ka theksuar nevojën për forcimin e besimit te institucionet në vendet e origjinës.
“Shqipëria bëhet, Kosova bëhet! Vendet tona përballen me probleme ku më i mprehti është largimi i rinisë. Dua t’u dërgoj një mesazh atyre që kanë marrë rrugën e dhimbshme të kurbetit. Kjo ditë është e juaja. Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona dhe për familjet e tyre dhe burim kulture dhe demokratizimi që e marrin në shoqëritë ku jetojnë e punojnë. E di që atje ikin prej brengës dhe ende nuk kemi bërë mjaftueshëm që ata të besojnë në institucione drejtësi e shtet që të mendojnë rritjen e fëmijëve në Atdhe si opsionin më të mirë. Këtë betejë do ta bëjmë deri në fund e do ta fitojmë me ndihmën tuaj”, është shprehur Albin Kurti.
/5pyetjet.al









