Një përplasje verbale është regjistruar në sallën e gjyqit, në nisje të seancës për dosjen “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Sipas informacioneve, i pandehuri Asllan Plaku ka debatuar me tone të ashpra me prokurorin e çështjes, Berhar Dibra, duke e akuzuar se e ka çuar në burg pa prova.
Plaku ka pretenduar se vuan nga probleme shëndetësore dhe se ndodhet në paraburgim si pasojë e një hetimi të dobët nga ana e prokurorisë.
“Behar Dibra, më ke futur në burg pa prova. Jam i sëmurë dhe jam këtu nga hetimi yt i dobët, s’më ka futur në burg Nuredin Dumani, se ai nuk ka rrëfyer asgjë, por ti“, ka deklaruar Plaku.
Ai është shprehur se nuk është implikuar nga dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani dhe se përgjegjës për arrestimin e tij është drejtpërdrejt prokurori i çështjes.
Gjithashtu një tjetër përplasje është regjistruar mes prokurorit Dibra dhe avokates së Altin Ndocit. Përplasja nisi pas pretendimeve të mbrojtjes se organi i akuzës ka fshehur prova që lidhen me çështjen.
Prokurori Dibra i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar: “Kërkesa dhe deklarata që thoni se ne kemi fshehur prova nuk është e vërtetë. Nuk ka fshehje prove. Nëse nuk është sjellë, do ta sjellim.”. Por avokatja Elda Zotaj reagoi ashpër, duke këmbëngulur se provat nuk janë vënë në dispozicion të plotë të mbrojtjes.
Pas debateve, gjykata vendosi të ndërpresë seancën dhe ta shtyjë procesin për në datën 3 mars, kur pritet të vijojë shqyrtimi i provave dhe kërkesave të palëve.
Dosja “Plumbi i Artë” është një nga çështjet më të bujshme të drejtësisë shqiptare, e lidhur me atentate të armatosura dhe rrjetet e krimit të organizuar. Të pandehurit e dosjes akuzohen për vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani./ oranews









