Rruga Kukës–Kalimash po përkeqësohet nga dita në ditë, ndërsa dëmtimet në pothuajse të gjithë gjatësinë prej 16 kilometrash janë bërë gjithnjë e më të dukshme.
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë përshpejtuar ndjeshëm procesin e degradimit, duke krijuar probleme serioze për qarkullimin e automjeteve.
Drejtuesit e mjeteve flasin për një situatë të rënduar në këtë segment të rrugës së vjetër Kukës–Tiranë.
Sipas tyre, një nga problematikat më shqetësuese mbetet një shembje në trupin e rrugës, si dhe prania e një shkëmbi të madh në anë të saj, i rrëzuar nga skarpati i malit si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
Kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun për aksidente, sidomos gjatë natës apo në kushte të këqija atmosferike.
Në disa pjesë, aksi është i mbushur me gropa të thella, duke e bërë lëvizjen të vështirë dhe të rrezikshme si për automjetet e vogla, ashtu edhe për mjetet e tonazhit të rëndë.
Edhe pse firma mirëmbajtëse ka kryer ndërhyrje për pastrim dhe riparime të përkohshme, dëmtimet strukturore kërkojnë investime më të mëdha dhe ndërhyrje të plotë rehabilituese.
Problem serioz paraqet edhe një nga urat kryesore të këtij segmenti, me gjatësi rreth 37 metra.
Sipas drejtuesve të mjeteve, ura përbën rrezik real për sigurinë e qarkullimit.
Mbrojtëset anësore, të vendosura që në ndërtimin fillestar të aksit, janë të amortizuara dhe jashtë funksionit, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë dhe sigurinë e tyre.
Rruga Kukës–Kalimash është një arterie e rëndësishme për banorët e njësisë administrative Malzi, pasi shërben si lidhje direkte me qytetin e Kukësit dhe përdoret çdo ditë për transport mallrash, shërbime dhe lëvizje familjare.
Çdo problem në këtë aks ndikon drejtpërdrejt në jetën ekonomike dhe sociale të zonës./ Syri









