Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka marrë vendimin për bllokimin total të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas, për shkak të rrezikut të shembjes së urës në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”. Kreu i ARRSH tha se situata ka përkeqësuar pas 48 orëve të fundit dhe është e domosdoshme mbyllja e rrugës për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm.
“Si autoritet e kemi në mbikëqyrje prej javësh, por prej 48 orëve ka pasur përkeqësim të ndjeshëm. Jemi të detyruar të bllokojmë tërësisht trafikun. Ka një përkeqësim të vazhdueshëm. Në mëngjes ishte spostuar 27 m, aktualisht është 29 m. Poshtë urës po thërrmohet betoni, kështu që jemi të detyruar të bllokojmë totalisht rrugën edhe për mjetet normale”, tha kreu i ARRSH.
Autoriteti apelon qytetarëve që të shmangin këtë rrugë, pasi mund të mbesin të bllokuar në radhë pritjeje. Në këtë moment, nuk ka një afat të qartë për hapjen e rrugës, pasi shkaqet e përkeqësimit të situatës janë natyrore dhe zona është ujëmbajtëse.









