Në Rrjoll vijon protesta e banorëve prej 20 ditësh në mbrojtje të tokave të tyre, të cilat thonë se po u grabiten për të ndërtuar një resort turistik. Aty u zhvillua edhe “Udha e Kryqit”, riti tradicional i periudhës së Kreshmëve. Banorët pretendojnë se zotërojnë toka të trashëguara.
“Burokracia e korruptuar bën sikur nuk e njeh më padrejtësinë. Vendimet vetëshkruhen tashmë nga ata që kanë para duke injoruar jetët e të tjerëve. Askush nuk mund t’i luftojë i vetëm gjigandët. Famullia dhe të gjithë vullnetmirët e saj mbështesin ata që rrezikojnë të humbasin gjithçka”,- tha një e re. Mesazhe pati edhe nga drejtuesit e Kishës Katolike, të cilët shprehën mbështetje shpirtërore për komunitetin dhe apel për reflektim.
Prej javësh, banorët e zonës janë përfshirë në protesta të përditshme kundër projektit të ndërtimit të resortit, ndërsa disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat pas përplasjeve me forcat e rendit. Ata kanë deklaruar se do të vijojnë protestat deri në një zgjidhje për çështjen e pronësisë së tokave.









