Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestave të banorëve dhe debatit publik mbi projektin e rijetëzimit të zonës historike të Durrësit, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij projekti për zhvillimin e qytetit si destinacion turistik ndërkombëtar. Protestat kishin shpërthyer për shkak të shqetësimeve lidhur me impaktin që mund të ketë ky projekt mbi pronat private dhe trashëgiminë kulturore.
Rama shprehu se zonat ku do të zhvillohet ky projekt janë pjesë e trashëgimisë kombëtare dhe botërore, duke shtuar se ky projekt është i mbështetur nga një plan i mirëstrukturuar dhe i nevojshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur, ndërkohë që realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe. Zona Arkeologjike A ku do të marrë jetë projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane dhe çdo debat pronash mbi atë zonë nuk duhet të dalë nga korniza e faktit themelor: Ajo zonë është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar. E bën një detyrim ndërkombëtar.”









