Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pranim të kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për shfuqizimin e vendimit të rregullores së Kuvendit lidhur me numrin e Komisioneve Parlamentare.
Balla tha se nuk gjen asnjë lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së tij dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk gjej dot asnjë lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së vet në komisione të përhershme dhe vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese. Pres me shumë kuriozitet vendimin e plotë për të kuptuar edhe atë çështjen e ‘të drejtës së shprehjes’, kur është fakt se deputetët kanë votuar dhe e kanë shprehur vullnetin qartazi me votë. Megjithatë mendoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet ta vazhdojë punën e tij me ndarjen aktuale të Komisioneve, të cilat do duhet të rimiratohen bashkë me ndryshime të tjera që siç njoftova në fillim të sesionit do t’i depozitojmë në ditët në vijim”, shkruan Balla.









