Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër përpara mediave pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, ku u diskutuan akuzat e ngritura nga SPAK ndaj Belinda Ballukut.
Këlliçi ka hedhur akuza të forta ndaj ish-ministres dhe kryeministrit Edi Rama, duke i lidhur ata me krimin dhe korrupsionin, ndërsa ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut dhe dorëheqjen e Kryeministrit.
Postimi i Këlliçit:
Balluku kërcënoi dëshmitarët me njerëz të krimit! Çdo socialist që hesht sot është nën akuzë.
Faktet që ka paraqitur sot SPAK në Kuvend, ku del se Belinda Balluku ka kërcënuar dëshmitarët me njerëz të krimit dhe nga ana tjetër, ka tentuar t’i blejë ata me paratë e korrupsionit, janë të mjaftueshme jo vetëm për heqjen e imunitetit, por janë të mjaftueshme edhe për shefin e saj që të japë dorëheqjen.
Këto dëshmi të SPAK vërtetojnë se si operon kjo qeveri, ky Kryeministër dhe bashkëpunëtorja e tij më e ngushtë, përmes krimit dhe korrupsionit. Çfarë duhet të ndodhë tjetër që një politikan, një udhëheqës, të mbajë përgjegjësi?
Por, edhe pas këtyre zhvillmeve tronditëse, sërish përfaqëuesit e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në Këshillin e Mandateve nuk kanë qënë të gatshëm të votojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit.
Pas kësaj, çdo deputet i rilindjes që është në dijeni për këto krime të rënda të zv-kryeministres, dhe sërish hesht, nuk mban një qendrim, dhe që do të urdhërohet të votojë siç do Edi Rama, është nën akuzë. Eshtë nën akuzë sepse pajtohet dhe favorizon kërcënimin e dëshmitarëve me njerëz të krimit dhe përpjekjen për blerjen e korruptimin e tyre, në të dy rastet me njerëz pranë Ballukut dhe Edi Ramës.
Balluku dhe Rama kanë turpëruar çdo socialist të ndershëm dhe nëse ata nuk reagojnë, tregon se janë pjesë e kësaj skeme mafioze, se janë dhe ata bashkëpunëtorë në krim.
Qytetarët e lirë dhe demokratët kanë kohë që ngrenë zërin dhe janë sot i vetmi moral në shoqëri. Do bashkohemi prapë të shtunën, më të vendosur e më të pathyeshëm para zyrës së krimit dhe korrupsionit.