Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë Vjosa Osmanin për një mandat të dytë si presidente.
Pas një takimi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, Kurti theksoi se aktualisht nuk kanë mbledhur nënshkrime për asnjë kandidat dhe se për momentin, Vetëvendosje mund të sigurojë vetëm 66 vota, një numër shumë larg 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para.
“Edhe nëse i mbledhim nënshkrime mund të arrijmë në numrin 66. Nuk e mbërrijmë dot 80-shin,” tha Kurti, duke theksuar se është e dëmshme të nxjerrin një kandidat që nuk mund ta kalojë pragun.
Ai gjithashtu përmendi se dy subjektet e tjera politike të mëdha nuk kanë as 30 vota të siguruara, duke lënë të hapur mundësinë për një marrëveshje më të gjerë politike nëse do të ketë një kandidat që mund të kalojë pragun kushtetues.
/5pyetjet.al









