Është shtyrë seanca në Gjykatën e Posaçme për procesin e veçuar ndaj Bledar Polovinës dhe Amar Shkëmbit, të përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019 te mbikalimi i Shkozetit.
Seanca gjyqësore ndaj tyre është shtyrë pas kërkesës së avokatit të Shkëmbit, për t’u njohur me aktet e dosjes pasi është zgjedhur vetëm një ditë më parë dhe se seanca e radhës do të mbahet më 11 mars, ora 11:00.
Në këtë proces Bledar Polovina dhe Amar Shkëmbi po gjykohen të ndarë nga pjesa tjetër, ndërkohë që Polovina vazhdon të jetë në kërkim ndërkombëtar.
Thirrja e tij nga gjykata është bërë me shpallje publike, po ashtu edhe në adresën e tij të banimit. Po ashtu, është marrë informacion nga Interpol Tirana.
Bledar Polovina është lokalizuar në SHBA dhe i ka dërguar autoriteteve të SHBA-së kërkesën për ekstradimin e tij, por sipas shkresës që Interpol i ka sjellë gjykatës, nuk ka informacion se çfarë ka ndodhur me këtë proces.
SPAK kërkon që procesi të vijojë në mungesë të Bledar Polovinës, ndërsa ky i fundit i ka kërkuar gjykatës gjykim të shkurtuar nëpërmjet një e-maili të dërguar avokatit të tij, Sajmir Visha.
Por, kërkesa nuk ka ardhur në formën e kërkuar nga ligji dhe për këtë arsye nuk mund të pranohet.









