Firmoset marrëveshja e bashkëpunimit mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë me Lidhjen e Biznesit të Kosovës me qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshja u firmos nga Nikolin Jaka dhe Besart Dreshaj, të cilët theksuan se ky memorandum përbën një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi konkret dhe të qëndrueshëm mes komuniteteve të biznesit në të dy vendet.
Jaka vlerësoi progresin e arritur deri më tani në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, duke theksuar se ekziston ende hapësirë për të reduktuar burokracitë dhe për të lehtësuar më tej lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve. Ai nënvizoi rëndësinë e heqjes së barrierave fizike dhe administrative mes dy vendeve, si një domosdoshmëri për thellimin e integrimit ekonomik.
Nga ana e tij, Kryetari i LBK-së, Dreshaj, theksoi se është thelbësore që marrëveshjet e arritura në nivel politik të gjejnë zbatim konkret në praktikë, në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Ai vlerësoi trendin pozitiv të shkëmbimeve tregtare, duke shtuar se potenciali për rritje është edhe më i madh. Gjithashtu, ai theksoi nevojën për të mbështetur dhe promovuar produktet vendase, si një shprehje konkrete e partneritetit mes dy vendeve.
Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Jaka propozoi organizimin e forumeve të përbashkëta ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe ftoi bizneset kosovare të marrin pjesë në panairet dhe aktivitetet që organizon DHTI-Tiranë. Ftesa u mirëprit nga delegacioni i LBK-së, duke shprehur gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërmjet sipërmarrjeve.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë mbetet e angazhuar për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi ekonomik, në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare dhe kosovare.









