Në jug të Izraelit, konkretisht në Be’er Sheva, autoritetet kanë hapur strehimoret publike për qytetarët, në një klimë të tensionuar sigurie që lidhet me përkeqësimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Iranit.
Situata është ndikuar edhe nga qëndrimi i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e personelit të tyre diplomatik. Ambasada amerikane në Jerusalem ka autorizuar largimin e punonjësve jo të domosdoshëm dhe familjarëve të tyre, duke paralajmëruar se mund të vendosen kufizime të menjëhershme për lëvizjet në disa zona të ndjeshme, përfshirë edhe Jerusalemin e Vjetër dhe Bregun Perëndimor.
Qytetarëve amerikanë u është sugjeruar të marrin në konsideratë largimin, për sa kohë që linjat ajrore tregtare vijojnë operimin.
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, u ka kërkuar punonjësve të ambasadës që, nëse planifikojnë të largohen, ta bëjnë pa vonesë, duke theksuar se siguria mbetet prioritet absolut.
Këto zhvillime ndodhin ndërsa Uashingtoni po rrit praninë ushtarake në rajon dhe vijon dialogun me Teheranin mbi çështjen bërthamore.









