Mbyllet pas tre orësh protesta e Partisë Demokratike. Me në krye Sali Berishën gjithçka nisi tek Kryeministria. Këtë herë e kurseu Edi Ramën. Pa molotov. Më pas u nisën drejt godinës së policisë së shtetit por u bllokuan në unazë. Gaz lotsjellës, ujë dhe përplasje me policinë.
Protestuesit morën rrugën drejt godinës së policisë së Tiranës. I njëjti skenar edhe aty. Sali Berisha më pas u nis drejt Bllokut, ku u sulmua vila e Enver Hoxhës. Në fund kur po arrinin drejt Kryeministrisë Sali Berisha u largua me makinë dhe e mbyll protestën në selinë e PD-së.
“Ky ishte mesazhi më i madh që i dërguat miqve tanë në Europë dhe botë. I kallët tmerrin dhe datën narkodiktatorit Edi Rama. Në marshim e sipër agjentë të infiltruar të policisë kriminale mashtruan kryengritësit se në shtëpinë e ish-diktatorit banon Edi Rama dhe kjo ngjalli një revoltë të pakufijshme dhe t’i përvisheshin asaj ndërtese.
Ishte shpërthim urrejtje ndaj Ramës dhe jo ndaj ndërtesave. Por Edi Rama banonte tek Vila e Mehmet Shehut, por tani fut jo një agjent por 120 agjentë, nuk devijon më, e dimë ku je, në Surrel ose vilën e Mehmet Shehut. Miq korrëm një fitore tjetër sot. Unë i them Ramës se këta (protestuesit) për 25 minuta janë në Surrel” tha ai.









