-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Telenovela dhe ligji për sigurimin e detyrueshëm të pronave në Shqipëri

Kryesoret

Telenovela e miratimit të një ligji për sigurimin e detyrueshëm të pronave nga katastrofat nuk ka përfunduar ende. Në fillim të këtij viti, qeveria ka dërguar në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe në disa institucione të tjera të lidhura, një variant të ri të projektligjit, që përfshin në të edhe sigurimin nga përmbytjet.

Megjithatë, ashtu si në variantet e mëparshme, projektligji përmban kryesisht parashikime të natyrës së përgjithshme dhe ka pak dispozita konkrete lidhur me detajet e skemës së sigurimit.

Projektligji i delegon tek aktet nënligjore shumicën e elementeve bazë të skemës, si për shembull kufiri maksimal i mbulimit, primi që do të paguhet, kategorizimet përkatëse mbështetur në modelet e rrezikut, mënyrën dhe shkallën e përfshirjes së agjentëve dhe shoqërive private të sigurimit në rrjetin e shitjeve.

Në këtë kuptim, pothuajse të gjithë elementet që do të përcaktojnë funksionimin thelbësor të skemës do të detajohen në vazhdim me akte nënligjore.

Kufiri maksimal i shumës së sigurimit të detyrueshëm do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Financat.

Ndërkohë, primi i sigurimit do të miratohet nga Fondi, pas marrjes së pëlqimit nga ministri përgjegjës për Financat.

Metodologjia e përcaktimit të primit për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet, zonat, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, do të llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga përmbytjet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila do të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Financat, pas marrjes së mendimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Ekspertët e tregut shprehen se lënia e detajeve për t’u përcaktuar me akte vijuese nënligjore krijon pasiguri dhe lë hapësirë për ndërhyrje politike të mëvonshme.

Duke qenë se nuk përshkruhen qartë kufijtë e mbajtjes dhe niveli i garancisë shtetërore, është e vështirë të përcaktohet një kosto vjetore për risigurimin, duke rrezikuar që primet mund të jenë më të larta se në vendet që kanë skema të ngjashme, por i kanë përcaktuar qartë kriteret teknike në ligj.

Sipas ekspertëve, një element tjetër që e rrit koston e risigurimit është franshiza 2% e vlerës së dëmit dhe jo e shprehur kundrejt shumës së sigurimit. Në dukje një masë sociale, pasi duket sikur u vjen në ndihmë qytetarëve në rast dëmi, por në thelb nuk e mbron fondin nga frekuenca dhe e bën programin e risigurimit më të kushtueshëm dhe për rrjedhojë, edhe rrit primet e sigurimit.

Nëse ndodh një tërmet i ngjashëm me atë të vitit 2019, mund të ndodhë që mbulimi me risigurim të jetë i pamjaftueshëm dhe të kërkohet garanci dhe ndërhyrje nga shteti; pra, nënkupton që barra të mbulohet nga fondet e buxhetit.

Një problem tjetër i evidentuar prej ekspertëve është mungesa e mekanizmave të fortë zbatues. Përvoja nga vendet e tjera tregon se pa zbatim të fortë, mbulimi me sigurim mund të mbetet i ulët.

Në variantet e mëparshme, projektligji e kushtëzonte marrjen e shërbimeve nga Kadastra, nga portali shtetëror e-Albania dhe nga Qendra Kombëtare e Biznesit me lidhjen e kontratës së sigurimit të detyrueshëm të banesës.

Në variantin e ri, ky parashikim është hequr, me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, që argumenton se çdo veprim administrativ, i cili, për arsye të mbrojtjes së interesit publik ose të të drejtave të të tjerëve, mund të kufizojë një të drejtë individuale, ose mund ose të cenojë interesa legjitimë, duhet të zhvillohet në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

Gjithashtu, sipas Ministrisë së Drejtësisë, masat shtrënguese të cilat synoheshin të vendoseshin, binin ndesh edhe me parimin e sigurisë juridike, nisur nga fakti që kufizimet e të drejtave dhe lirive të një individi, në përputhje dhe me nenin 17 të Kushtetutës, duhet të jenë në përpjesëtim të gjendjes që e ka diktuar këtë kufizim.

Ligji parashikon vetëm mundësinë që kontrata e sigurimit të detyrueshëm të gjenerohet edhe përmes sistemit e-Albania, por vetëm për efekt të pajisjes me dokumentacion dhe jo në kuptimin e kryerjes së plotë të procedurës së lidhjes së kontratës nëpërmjet këtij kanali.

Sigurim i detyrueshëm nga tërmeti dhe përmbytjet

Projektligji parashikon sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet dhe përmbytjet të banesave dhe seksionet brenda banesave që përdoren si njësi, zyra apo për qëllime të tjera të ngjashme. Përjashtim do të bëjnë vetëm ndërtesat të cilat përbëhen nga argjila, qerpiçi, struktura me fibër – kallami ose të tjera të ngjashme, si dhe ndërtesat me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.

Kontrata e sigurimit do të mbulojë dëmet e ndodhura në pasurinë e paluajtshme të siguruar, të shkaktuara nga një apo disa ngjarje tërmeti apo përmbytjeje, të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së policës së sigurimit.

Sipas ligjit, ngjarje tërmeti do të kuptohet një tërmet me magnitudë 5.0 ose më të lartë të shkallës Rihter i cili ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë ose në rajonet ngjitur dhe ka sjellë dëme në Republikën e Shqipërisë, i raportuar nga Autoriteti Kombëtar përgjegjës i autorizuar për tërmetet.

Vlerësohen pjesë e ngjarjes së tërmetit, të gjitha tërmetet pasuese, paslëkundjet të shkaktuar nga lëkundjet pasuese, që ndodhin gjatë një periudhe kohore brenda 72 orëve nga zhvillimi i ngjarjes së tërmetit.

Kjo nënkupton se skema e detyrueshme nuk do të mbulojë dëme nga tërmete me magnitudë më të vogël se 5 ballë. Gjithashtu, do të përjashtohen nga mbulimi i sigurimit të detyrueshëm të gjitha dëmtimet fizike trupore duke përfshirë vdekjen; kërkesa për kompensim të dëmeve jopasurore; sendet brenda banesës së objektit të siguruar; humbjet financiare nga ndërprerja e veprimtarisë dhe fitimi i munguar.

Sendet brenda banesës së objektit të siguruar do të mbulohen në sigurim në rastin e përmbytjeve, por jo të tërmeteve.

Rregullat, afatet, kriteret dhe procedurat për pagesën e dëmeve të shkaktuara nga ngjarjet e siguruara përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për Financat. Megjithatë, ligji përcakton se dëmshpërblimi në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së dëmshpërblimit, duhet të paguhet brenda tre muajve, duke filluar nga momenti i plotësimit të dokumentacionit përkatës.

Në rastin kur një person është i siguruar si me një kontratë të detyrueshme, ashtu edhe nëpërmjet një kontrate sigurimi vullnetar, pagesa e dëmshpërblimit do të bëhet sipas kushteve të sigurimit të detyrueshëm.

Për shumën e siguruar, që tejkalon vlerën e kontratës së sigurimit të detyrueshëm, pagesa do të bëhet sipas kontratës së sigurimit vullnetar.

Subjektet të cilat kanë lidhur në mënyrë vullnetare kontratat për sigurimin e banesave nga tërmetet, në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit të ri nuk do të kenë detyrimin për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet, për sa kohë janë në fuqi kontratat e lidhura më parë.

Por, pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së këtyre kontratave, të gjithë subjektet do të kenë detyrimin e sigurimit të detyrueshëm të banesave, sipas parashikimeve të ligjit të ri.

Banka Botërore, kundër modelit të menaxhuar direkt nga një shoqëri shtetërore

Edhe projektligji i rishikuar ruan të njëjtin model të administrimit të skemës, nëpërmjet ngritjes së një shoqërie të posaçme shtetërore.

Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet do të krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare.

Kostot buxhetore për ngritjen e kapitalit fillestar dhe kostot e tjera për ngritjen e kapaciteteve fillestare të veprimtarisë së Fondit për Tërmetet do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Sipas projektligjit, fondi do të jetë përgjegjës për lidhjen e kontratave të sigurimit, administrimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm, krijimin e përfitimeve nga investimi i të ardhurave nga kontratat e sigurimit, risigurimin e përgjegjësive, trajtimin dhe pagesën e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm; përcaktimin e primit të kontratës së sigurimit të detyrueshëm.

Fondi duhet të sigurojë që në veprimtarinë e tij të mbështetet në një sistem elektronik informacioni, që të sigurojë lidhjen e kontratave të sigurimit të detyrueshëm, regjistrimin e të dhënave të subjekteve, pagesave të primit, dëmet, monitorimin e vazhdueshëm të akumulimit të rrezikut të sigurimit nga tërmetet apо përmbytjet dhe vlerësimin e dëmeve të pritshme, përmes zhvillimit dhe përdorimit të modeleve të rrezikut të sigurimit nga tërmetet dhe modelit të rrezikut të zhvilluar për Republikën e Shqipërisë.

Megjithatë, modeli i një skeme të menaxhuar nga një shoqëri shtetërore është kundërshtuar edhe nga Banka Botërore, në komentet e saj për projektligjin.

Ky institucion rekomandon strukturën e një Fondi, të menaxhuar nga një operator teknik profesional, në vend të një shoqërie aksionare dhe sjell si model, pool-in e Sigurimit të Detyrueshëm nga Tërmeti në Turqi (TCIP).

ТСІР është një institucion publik i krijuar me një ligj të posaçëm për të ofruar sigurim nga tërmeti në zonat e banuara në Turqi. Ai nuk është as një shoqëri aksionare, as një ent publik tipik, dhe është i përjashtuar nga rregulloret standarde që rregullojnë ndërmarrjet shtetërore, menaxhimin financiar publik, auditimin dhe prokurimin.

Në vend të tyre, ajo funksionon sipas kuadrit të vet ligjor dhe të prokurimit. Duke funksionuar si një fond publik ose një ent publik me qëllim të veçantë, TCIP nënkontrakton shumicën e operacioneve të tij te partnerët e sektorit privat, duke i mundësuar të operojë me fleksibilitetin e një siguruesi privat, ndërkohë që ruan mbikëqyrjen publike për të siguruar transparencë, besueshmëri dhe besim publik.

Sipas Bankës Botërore, zgjedhja e strukturës ligjore është kritike për të siguruar që Fondi të jetë i pavarur, i besueshëm dhe efikas, me rregulla të qarta për llogaridhënie publike por me fleksibilitet operacional.

“Mbikëqyrja ministrore idealisht duhet të fokusohet në objektivat strategjike dhe jo në menaxhimin e përditshëm. Siç është projektuar aktualisht, struktura e propozuar mund të bëhet burokratike, me disa shtresa administrative dhe shumë e varur nga drejtimi qeveritar, gjë që mund të kufizojë kapacitetin profesional dhe pavarësinë operacionale të Fondit”, thuhet në komentet e Bankës Botërore.

Roli i AMF, i kufizuar dhe jo plotësisht i qartë

Projektligji përcakton se, për sa është e nevojshme në zbatim të legjislacionit për sigurimin dhe risigurimin në Republikën e Shqipërisë, AMF do të mbikëqyrë Fondin, në drejtim të unifikimit të rregulloreve dhe standardizimit të akteve rregullatore gjatë veprimtarisë së tij, të transparencës ndaj publikut, të zbatueshmërisë së termave dhe kushteve të kontratave që lidhen me të siguruarit, të mbikëqyrjes dhe garantimit të mbrojtjes së konsumatorit në lidhje me kontratat e sigurimit të detyrueshëm të banesave, si dhe të monitorimit të zbatueshmërisë së politikave të investimeve, kur konstaton se ato nuk janë në përputhje me aktet rregullatore të vendosura apo kur rrezikojnë pozicionin financiar të shoqërisë.

AMF mund të nxjerrë rekomandime për vlerësimin dhe përmirësimin e veprimtarisë së Fondit për Tërmetet dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Sipas ekspertëve, mospërcaktimi i një roli të plotë mbikëqyrës nga ana e AMF është një dobësi tjetër e projektligjit.

Edhe Banka Botërore, në komentet e veta, shprehej se, për shkak të natyrës dhe kapacitetit teknik të saj, AMF është më e përshtatshme sesa qeveria për të pasur detyrimin ligjor për të nxjerrë të gjitha rregulloret me natyrë teknike.

Megjithëse qeveria shprehet se i ka marrë në konsideratë komentet e Bankës Botërore, sërish roli rregullator dhe mbikëqyrës që i njihet AMF-së edhe në variantin e fundit ka disa kufizime dhe përcaktime evazive.

Siguruesit, kundër një skeme shtetërore

Shoqata Shqiptare e Siguruesve nuk ka preferuar të mbajë një qëndrim publik lidhur me projektligjin e ri të propozuar nga qeveria. Megjithatë, më herët siguruesit janë shprehur në favor të një skeme të detyrueshme të sigurimit nga katastrofat, mundësisht me një rreze sa më të gjerë mbulimi.

Siguruesit janë kundër administrimit të skemës nga një shoqëri e posaçme shtetërore, e ngritur enkas për këtë qëllim. Sipas tyre, shoqëritë private të sigurimeve i kanë të gjitha kapacitetet dhe ekspertizën për ta administruar ato skemën, me mbikëqyrjen e autoriteteve publike.

Ata kanë kërkuar një skemë ku sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet dhe përmbytjet të administrohet nga shoqëritë private të sigurimit. Siguruesit nënkuptojnë një model të ngjashëm me atë rumun.

Megjithatë, duket se qeveria nuk e konsideron një mundësi të tillë dhe përfundimisht është e orientuar drejt propozimit zyrtar të projektligjit në modelin e një skeme të administruar nga një shoqëri shtetërore.

Ekspertët mendojnë se një model që e lë jashtë sektorin privat ka të ngjarë të shtojë kostot e skemës, ta bëjë atë më pak efikase dhe të krijojë kosto shtesë te publiku.

Projektligji parashikon që subjektet private mund të kenë një rol si ndërmjetës dhe Këshilli i Ministrave do të përcaktojë kriteret konkurruese të përzgjedhjes së agjentëve publikë ose privatë dhe shoqërive të sigurimit për menaxhimin, shkallën e përfshirjes së tyre, shpërndarjen apo administrimin e shitjeve të kontratave të sigurimit, komisionet përkatëse dhe kushtet e bashkëpunimit.

Por, projektligji lë të kuptohet se përzgjedhja e ndërmjetësve do të bëhet nga Fondi, që do të bëjë përzgjedhjet e agjentëve apo ndërmjetësve.

Duke ditur që ka një treg aktualisht të pronës, mekanizmi bëhet i ndërlikuar dhe rrezikohet që klientët të bëjnë pagesa të dyfishta.

Sipas ekspertëve, është më se e natyrshme që kompanitë e sigurimit apo të ndërmjetësit të shërbejnë klientët e tyre, duke ndihmuar fondin të ulë kostot e shitjes. Ato mund të jenë ndihmë edhe në raste dëmesh, duke trajtuar dosjet për Fondin. Kjo do të sillte një ekosistem të drejtë pa disavantazhe konkurruese.

Një qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Banka Botërore. Sipas komenteve të saj, siguruesve duhet t’u jepet autoritet ligjor për të shitur policat në emër të Fondit, si dhe funksione të vlerësimit të dëmeve të certifikuara, me kusht që të kryhen nga një staf i trajnuar dhe i certifikuar.

“Qasja jonë e sugjeruar është në përputhje me praktikat më të mira të vëzhguara në skemat publike-private të sigurimit nga katastrofat, si TCIP në Turqi. Ajo gjithashtu do t’u mundësojë siguruesve të zgjerojnë produktet e tyre vullnetare për sigurimin nga tërmetet që të plotësojë mbulimin e detyrueshëm”, shprehet Banka Botërore.

Modelet e vendeve të tjera krijojnë më shumë hapësira për sektorin privat

Vende të tjera që kanë ngritur me ligj skema të detyrueshme të sigurimit nga katastrofat janë Turqia dhe Rumania.

Model disi më i ngjashëm me atë që propozohet të ngrihet në Shqipëri është ai turk, ku skema menaxhohet nga një ent i posaçëm shtetëror (pool), Instituti i Sigurimit të Katastrofave Natyrore, por që parashikon vetëm sigurim të detyrueshëm nga tërmetet.

Megjithatë, edhe në rastin e Turqisë, ligji parashikon që administrimi i skemës nga pikëpamja teknike dhe operacionale të kryhet nga një operator i përzgjedhur mes shoqërive me eksperiencë në produktet e sigurimit dhe risigurimit.

Që nga viti 2020, operator teknik i skemës është Türk Reasürans, shoqëri risigurimi me kapital shtetëror, ndërsa në periudhën 2005-2020, operator teknik kishte qenë kompania e sigurimeve Eureko Sigorta, pjesë e grupit holandez të sigurimeve Achmea.

Megjithëse operatori aktual, Türk Reasürans, është shoqëri shtetërore turke, aktiviteti i saj nuk ka funksion ekskluziv administrimin teknik të skemës së sigurimit të katastrofave.

Edhe në Shqipëri, në variantin fillestar të projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, u propozua delegimi i administrimit teknik dhe operacional të skemës te një kompani e specializuar.

Por, në variantin e rishikuar, të vitit 2025, u hoq dorë nga një parashikim dhe tashmë propozohet që skema të administrohet plotësisht nga një shoqëri shtetërore e ngritur enkas për këtë qëllim.

Në rastin e Turqisë, detyrimi ligjor për sigurim ekziston vetëm për banesat urbane dhe jo për ato rurale. Projektligji i propozuar në Shqipëri është më i ngjashëm me ligjin turk edhe në aspektin e mosdetajimit të elementeve teknike, që lihen për t’u rregulluar me akte nënligjore.

Pavarësisht kësaj, ligji turk përcakton qartë se skema nuk do të marrë në sigurim atë kategori të ndërtimeve urbane që nuk plotëson kriteret teknike për t’u siguruar.

Më konkretisht, ligji turk përcakton se enti publik përkatës rezervon të drejtën të mos sigurojë ndërtesat e ndërtuara në kundërshtim me legjislacionin përkatës dhe projektet.

Në ligj thuhet gjithashtu se skema e detyrueshme nuk do të sigurojë ndërtesat që zbulohen se janë modifikuar ose dobësuar në një mënyrë të tillë që ndikon negativisht në sistemin mbështetës.

Ndërkohë, projektligji që propozohet në Shqipëri kërkon sigurimin e të gjitha banesave urbane dhe rurale, me përjashtim të ndërtimeve prej qerpiçi dhe atyre të lëvizshme. Në formën që është propozuar, projektligji nuk parashikon hapësira që Fondi të refuzojë sigurimin e banesave, mbështetur në kritere të caktuara teknike.

Modeli rumun ka ndryshime edhe më të mëdha nga ai që propozohet në Shqipëri.

Skema mbulon dëmet nga tërmetet, por edhe ato nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Sigurimi përfshin edhe dëmet indirekte që mund të shkaktohen nga katastrofat e mësipërme.

Skema rumune është konceptuar e thjeshtuar dhe limitet e përgjegjësive janë relativisht të ulëta, por të përcaktuara qartë në përmbajtjen e ligjit përkatës.

Skema parashikon dy polica sigurimi, të llojeve A dhe B, në varësi të materialit të përdorur për ndërtimin e banesës.

Policat e llojit A kanë një prim fiks sigurimi prej 20 eurosh dhe mbulojnë dëme deri në shumën e 20 mijë eurove për banesë. Ndërsa policat e llojit B kanë një prim sigurimi fiks prej 10 eurosh dhe mbulojnë dëme deri në 10 mijë euro.

Polica e llojit B është konceptuar kryesisht për ndërtimet më bazike dhe me garanci më të ulëta teknike. Skema akumulon një rezervë të vetën për katastrofat që financohet nga primet e mbledhura, ndërsa është e mbrojtur nga një skemë risigurimi deri në limitin e 1 miliardë eurove.

Në rast të ngjarjeve që shkaktojnë dëme që tejkalojnë kapacitetet e brendshme të skemës dhe limitin e risigurimit, atëherë hyn në lojë qeveria, që është e autorizuar të marrë borxh për të mbuluar detyrimet e skemës.

Kompania që administron skemën e sigurimit të detyrueshëm në Rumani nuk është shtetërore, siç propozohet në Shqipëri, por është bashkim i disa shoqërive private të licencuara të sigurimit.

Shteti rumun nuk ka rol direkt në menaxhimin e skemës, që kryhet në të gjitha hallkat nga operatorë privatë./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit