Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka zbuluar masat e marra pas rrëshqitjes së tokës në segmentin e koridorit të VIII Librazhd–Prrenjas, konkretisht në zonën e Dragostunjës. Për të kuptuar më mirë shkakun e incidentit, ARRSH publikoi një video që simulon planin e rrëshqitjes, duke vërtetuar se kjo ka nisur nga poshtë dhe ka përfshirë edhe pjesë të tjera të segmentit.
Në një njoftim të shpërndarë nga ARRSH, bëhet e ditur se janë hartuar dhe miratuar masa për ndihmën e menjëhershme të situatës. Kjo përfshin ndërtimin e një segmenti alternativ 1.3 km përgjatë lumit Shkumbin, që do të vijojë përkrah hekurudhës, duke siguruar një kalim të sigurt për automjetet dhe duke shmangur pjesët e rrezikshme të rrugës.
Për të realizuar këtë, janë ndërmarrë disa veprime të rëndësishme si: devijimi i rrjedhës së lumit për të shmangur ndikimin mbi infrastrukturën e rrugës, demontimi i urës së dëmtuar dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës që ka pësuar rrëshqitje. ARRSH ka angazhuar punonjës dhe mjete të shumta, duke hequr mbi 64.000 m³ material/inerte nga zona e dëmtuar.
Po ashtu, janë bërë ndërhyrje në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) për demontimin e shtyllave të tensionit të lartë dhe të ulët, të cilat janë prekur nga rrëshqitja.
ARRSH ka angazhuar gjithashtu ekspertë të gjeologjisë për të vazhduar studimet e nevojshme, duke synuar një zgjidhje të qëndrueshme për këtë segment të rrugës. Sipas njoftimit të Drejtorit të ARRSH, një prononcim për afatin e realizimit të këtij projekti do të bëhet të hënën.
/5pyetjet.al









