-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gjergj Erebara: Rrugët nuk ndërtohen me gurë lumi

Kryesoret

Pothuajse njëzet e dy shekuj më parë, një romak me prejardhje plebeje dha një urdhër që i dha famë shumë më të madhe se sa kishte ai vetë, gjësë që ai bëri. Dihen shumë pak gjëra mbi Gaj Egnatin, njeriun, përveç faktit që ishte guvernator i provincës së Maqedonisë, por dihet ku e ku më shumë për rrugën Egnatia që ai urdhëroi të ndërtohej.

Rruga që niste në Durrës dhe në Apolloni të Shqipërisë dhe zgjatej deri në Bizant, kishte për synim të krijonte një lidhje të shkurtër dhe më pak të rrezikshme se sa lidhja detare mes Romës dhe provincës së saj të sapopushtuar, Maqedonisë. Si të gjitha rrugët romake, Egnatia u ndërtua me shtresa guri të thyer të vendosur në atë mënyrë që rrugët vijojnë të ndërtohen edhe në kohën moderne.

Rruga Egnatia pa ngjarje shumë madhore në historinë e vet, përfshirë përdorimin intensiv të saj nga ushtritë ndërluftuese gjatë Luftës Civile Romake mes Pompeit dhe Cezarit, përdorimin nga Apostulli Pal në udhëtimin e tij drejt Romës apo përdorimin nga ushtria osmane gjatë përpjekjes për të pushtuar Krujën.

Në kohët më moderne, rruga e sotme drejt Korçës u ndërtua gjatë kohës së Italisë Fashiste dhe ishte pjesë e një plani më të gjerë për ndërtimin e një rrjeti rrugor në formë unaze përreth Shqipërisë, të plotësuar me lidhje diagonale. Pjesa jugore e rrethit u realizua gjatë pushtimit fashist për arsyen se Musolini kishte në plan të përdorte këto rrugë për të sulmuar Greqinë, siç edhe e sulmoi.

Rruga e Italisë Fashiste shërbeu deri në fillim të viteve ’90 pa u ndryshuar. Në vitin 1996, një numër urash u ndërtuan për të shkurtuar disa segmente në të cilat, rruga e vjetër ndiqte shpatet e luginave të përrenjve deri në pikën e tyre më të ngushtë.

Në vitet 2000, fondet e donatorëve, në formë parash dhuratë dhe kredi, ndihmuan Shqipërinë të ndërmarrë për herë të parë në pesëdhjetë vjet, ndërtime rrugësh. Segmentet rrugore nga Rrogozhina për në Elbasan, Librazhd, Qukës e Qafë-Thanë u ndërtuan nga kompani të ndryshme. Gjurmët e punimeve të tyre mund të dallohen edhe sot në formën e guroreve të braktisura nga ku u morën gurët për ndërtimin e rrugës.

Rreth kësaj kohe, një kompani që po ndërtonte segmentin Rrogozhinë – Elbasan, pati ngasjen të përdorte gurët e Lumit Shkumbin për të kursyer paratë.

Arsyeja se pse rrugët dhe ndërtesat e tjera romake prej guri kanë mbijetuar për më shumë se dy mijëvjeçarë duket se ka të bëjë me njohjen e ligjeve të fizikës nga ana e ndërtuesve. Guri mund të thyhet, por ai nuk mund të ngjeshet. Volumi i tij është konstant.

Ja një ligjësi tjetër: Forca e fërkimit.

Drejtorët e rrugëve në Shqipërinë e tranzicionit kanë qenë historikisht të emëruar politikë, shpesh pa lidhje me zanatin e ndërtimit të rrugëve, por nga vitet 2000, zakonisht zëvendësdrejtorët mbaheshin zanatçinj të fushës. Dhe njëri prej këtyre zanatçinjve i shpjegoi autorit të këtij shkrimi këtë ligjin e dytë  të ndërtimit të rrugëve: “Gurët e lumit, janë të rrumbullakët dhe janë të lëmuar. Koeficienti i tyre i fërkimit është i ulët.”

Me pak fjalë, nëse ndërton shtratin e rrugës me gurë lumi, pesha e vetë rrugës si dhe pesha e makinave që kalojnë sipër saj, do të shtyjë gurët jashtë shtratit, duke dëmtuar rrugën. Kjo është arsyeja se pse, si në kohën e Egnatit, ashtu edhe në kohën tonë, gurët e malit, të thyera me makineri të posaçme, (ose me krahë skllevërish në rastin e Romës së Lashtë), kanë shërbyer për t’u përdorur për të ndërtuar rrugë jetëgjata.

Ndërtimi i rrugës me gurë lumi ka arsye ekonomike. Gurët e lumit nxirren më lehtë, me kosto më të ulët. Dhe në rastin e rrugës që po ndërtohet përgjatë Lumit Shkumbin, lënda e parë gjendet pak metra larg shtratit të rrugës.

Gjithsesi, kërkesa e kompanisë së segmentit Rrogozhinë – Elbasan për të përdorur gurët e lumit u refuzua. Kompania braktisi punimet. Një tenderi i ri dhe një kompani e re e zëvendësoi dhe përfundoi punimet. Përgjatë njëzet e pesë viteve që pasuan, për nga cilësia e punimeve, nuk duket se ka pse të ankohesh. Përveç faktit që rruga është tashmë prej vitesh shumë e mbingarkuar me trafik, ajo duket se ka mbajtur mirë.

Cilësia e rrugës gjithsesi nuk është arsyeja e vetme se pse rrugët nuk ndërtohen me gurë lumi. Lumenjtë janë ato që krijojnë tokën e bukës. Prurjet e lumenjve Drin e Mat kanë krijuar fushën e Lezhës dhe fushën e Nënshkodrës.

Prurjet e lumenjve Vlosë e Seman kanë krijuar Myzeqenë. Prurjet e Lumit Shkumbin kanë krijuar tokën pjellore në Kavajë e Divjakë. Heqja e inerteve nga lumi e rrit forcën gërryese të ujit dhe shkakton erozion. Kjo nuk është situatë e panjohur dhe fakti që po detyrohemi ta përsërisim atë që botërisht dihet, duhet të na bëjë me shenjë nga situata anormale në të cilën ndodhemi.


Ngjarja që duhet mbajtur shënim nga dita e djeshme, 24 shkurt, ka të bëjë me një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp të katër apo pesë drejtorëve të shtetit, që të gjithë në një linjë, me një deklaratë që në thelb do të thotë: Qeveria nuk ka faj!

Konferenca për shtyp, e cila është diçka krejt e padëgjuar për zyrtarët e qeverisë shqiptare të tre mandateve e çerek të Edi Ramës si kryeministër, u mbajt për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga shembja e një ure të ndërtuar në vitin 1996.

Lidhja me Maqedoninë dhe Korçën është praktikisht e mbyllur për momentin. Dy rrugë alternative, më të gjata e më të ngadalta ekzistojnë, por që të dyja nuk janë të përshtatshme për kamionë dhe mund të bllokohen nga çasti në çast.

Ajo që duket me sy të lirë në vendngjarje është që, segmente të mëdha të rrugës së re janë ndërtuar me gurë lumi. Ajo dallohet si në shpatet e segmenteve të asfaltuara ashtu edhe në segmentet e papërfunduara.

Dhe ajo që u mësua së fundmi është se kompanisë që kanë marrë përsipër punimet për ndërtimin e të ashtuquajturit Korridori Tetë, kanë marrë autorizim nga qeveria për të shfrytëzuar gurët e lumit për të ndërtuar rrugën.

Përgjatë të gjithë lumit Shkumbin, ekskavatorët, edhe më 24 shkurt, nuk rreshtnin së gërmuari dhe së krijuari pirgje me gurë lumi për t’u përdorur në rrugën e re, me së paku katër nyje selektimi të vërejtura me sy të lirë. Dhe fakti është që dy dekada më parë një vendim qeverie ndaloi, dhe më duhet ta theksoj, ndaloi, dhënien e licencave për shfrytëzimin e lumenjve për materiale inerte.

Në konferencën e tyre të jashtëzakonshme dhe të paprecedent për shtyp, drejtori i rrugëve, një përfaqësues i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, e madje edhe drejtori i Hekurudhës, ishin të gjithë në një mendje: ura u shemb për shkak “të shiut”. Komente të tilla natyrisht që duhet të merren siç janë.

Mundet që të jetë shumë e saktë, megjithëse faktorët e tjerë dukshëm sugjerojnë ndryshe, që ura u shemb për shkak të shiut, i cili vendosi të bjerë më me furi se sa të tridhjetë vitet e fundit që ura ka ekzistuar. Por ajo që nuk mund të merret siç është është injorimi flagrant i shkeljes së ligjit përmes shfrytëzimit të Lumit Shkumbin për inerte.

Dhe ajo që nuk ka shi që të mund ta justifikojë është ndërtimi i dukshëm i rrugës së re në një masë të konsiderueshme me gurë lumi. Një krim mjedisor ky por edhe një krim ekonomik. Një rrugë e tillë ka shumë gjasa që do t’i shtohet listës së gjatë të rrugëve që vazhdimisht pësojnë zhytje, vazhdimisht kërkojnë mirëmbajtje, vazhdimisht harxhojnë nervat dhe paratë e qytetarëve.

Qeveria e Edi Ramës njihet për shpërndarjen e materialeve propagandistike të gatshme dhe jo për konferenca për shtyp. Emrat e drejtorëve zakonisht dalin në media kur arrestohen apo kur akuzohen për shkelje të ligjit elektoral. Në këtë kontekst, konferencën e jashtëzakonshme të drejtorëve të datës 24 shkurt duhet ta mbajmë shënim si ditën kur Edi Ramën e zuri sikleti aq shumë sa nxorri drejtorët në konferencë.

Rruga drejt Korçës vijon të jetë e bllokuar. Për momentin, një alternativë ekziston për shoferët më të guximshëm. Alternativa është një rrugë njëkalimëshe fshati që nis pak para vendit të shembjes, ngjitet për në fshatin Spatharë, vijon e paasfaltuar për në fshatin Dardhë dhe del pak para kthesës së Hotolishtit.

Banorët e fshatit Rahje Spatharë, të cilët jetojnë në fund të një rruge të paasfaltuar, kanë vendosur disa tabela të improvizuara për të informuar udhëtarët që të mos vijojnë për në qendër të fshatit dhe të ngecin, por të marrin kthesën. Pak më tutje, pranë fshatit Çerkezi, një segment i rrugës së lashtë Egnatia i bën karshillëk drejtorëve që dolën në konferencë për shtyp duke i shpjeguar heshturazi ligjet e fizikës por edhe ligjet e shtetit dhe ato të logjikës që thonë se gurët e lumit nuk duhet të gërryen.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit