-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gëzim Tushi: A ka opinion publik pa frymë publike?

Kryesoret

Si shumë gjëra në këtë shoqëri, edhe koncepti dhe vlerësimi social për opinionin publik dhe rolin e tij në jetën politike e sociale, është i përfshirë konceptualisht nëpër terrenet e ambiguitetit dhe praktikisht shfaqet në situata të paqarta teorike e praktikisht konfuze. Shumë shpesh debatet që zhvillohen në Shqipëri, bëjnë që perceptimi për strukturën dhe rolin social të opinionit publik të kalojë midis nënvlerësimit dhe çorientimit kaotik. Pikërisht kjo është arsyeja më themelore e shfaqjes së anomalisë sociale, që vjen nga dobësimi i strukturës së opinionit për shkak të zbehjes së frymës publike qytetare. Nevoja e së cilës është kusht ekzistencialisht i domosdoshëm, sepse pikërisht mungesa e saj në shoqërinë tonë është bërë faktor negativ, ndikues për deformimin e realiteteve të vërteta politike e sociale, të cilat padyshim që po kthehen në faktorë ndikues mbi formatimin e cekët të opinionit dhe frymës publike qytetare.

Mungesa e frymës publike si bazë për ndërtimin e opinionit publik të qëndrueshëm e aktiv, është e shoqëruar me pasoja për qytetërimin tonë modern, duke sjellë efekte demobilizuese e joangazhuese, shoqëruar me indiferencë e demobilitet social. Koha e ka nevojë urgjente dhe shoqëria po e ndjen në “palcën” e vet funksionuese, këtë situatë kaotike të opinion publik, që është pa “frymën” e duhur publike dhe që shfaqet më shumë anemike, në vend që të jetë aktiv, dinamik, i angazhuar e gjithëpërfshirës. Për fat të keq, sipas mendimit tim, opinioni publik në shoqërinë tonë është kaotik, madje i përçarë, pa kohezion e strukturë sociale të kompaktësuar qytetarisht, pikërisht nga që nuk ka frymën e duhur dhe koherencën e domosdoshme të bazuar në parimet e përbashkëta të vizionit qytetar për trajtimin e zgjidhjeve të problemeve të jetës politike e sociale, të cilat shpesh shikohen të ndara nga raportet dhe përgjegjësitë e qytetarëve me realitetin e vërtetë.

Ky është një nga faktorët e dikotomisë publike të opinionit, që ka krijuar jo frymën e duhur por “çarje” dhe difraksione, që në këto tri dekada e gjysmë janë bërë pengesë serioze për forcimin dhe homogjenizimin e frymës së opinionit publik për formatuar e trajtuar me përgjegjësi qytetare publike çështje kruaciale apo kauza të përbashkëta, me të cilat përballet politika, ekonomia, shoqëria, kultura, arsimi, jeta publike e private, turbulencat morale e shqetësimet e panumërta sociale, të cilat kanë nevojë për strukturën reaguese kompakte e koherente të opinionit publik. Kjo ka sjellë një lloj frakture sociale, e cila ndikon në mbylljen, indiferencën apo izolimin e forcës reaguese e determinuese të opinionit publik.

Po pse në përgjithësi tek ne është i dobët dhe i pastrukturuar opinion publik? Ky është problem sa sociologjik aq edhe kontekstual. Në fakt, duhet pranuar se nuk është patologji sociale, që ka “infektuar” vetëm shoqërinë tonë. Sociologët e postmodernitetit e kanë diktuar këtë patologji globale deformuese e neutralizuese të strukturimit frymës publike, si kusht për ndërtimin e opinionit publik. E megjithatë ajo që ka rëndësi dhe që duhet vlerësuar si impertaiv i jetës sonë sociale, është e vërteta që atë nuk mund ta “formësojnë qytetarët pasivë, masa e individëve të izoluar, ku secli për vete shpreh interesat e veta”. Patrice Canivez, “Të edukohet qytetari”, f 192.

Sepse në jetën e përditshme, por edhe në aulat e politikës dhe “industrinë mediatike”, flitet dhe evidentohet si fakt empirik që në shoqërinë tonë opinioni publik është i dobët dhe përgjithësisht i fragmentuar. Ky është problem kompleks, sa social dhe ontologjik aq dhe individual dhe empirik. Por një gjë është e sigurt. Nëse kemi këtë situatë, kjo është tregues i të vërtetës që duhet njohur dhe pranuar pa mëdyshje, sepse nuk ka mundësi të kemi opinion publik me peshë sociale, pa praninë e qytetarëve me frymë publike, shoqërisht të angazhuar, e individualisht aktiv, pa të cilat nuk mund të ndërtohet qytetaria si strukturë kompakte me aftësi e frymë për reagim publik, që është baza e ndërtimit dhe formimit të një opinioni publik solid, funksional, të qëndrueshëm.

Sociologët, analizues inteligjent të problemeve teorike e praktike të opinionit publik, të raporteve të tij me individin si qytetar dhe shoqërinë si tërësi sociale, shprehen se në kohën e sotme jeta postmoderne, zgjerimi i individualizmit, indiferencës, mbivlerësimi i besimit personal, sjelljet narcistike, hedonistike dhe egoiste të qytetarit modern, janë faktorë që kanë sjellë atë realitet, sikurse thotë sociologu britanik Anthony Giddens, e shoqëruar me “rrënimin e bashkësisë, çrrënjosjen e marrëdhënieve shoqërore nga kontekstet lokale të ndërveprimit…”. Sipas Giddensit, dobësimi i strukturës sociale dhe peshës dhe frymës së opinionit publik, është e lidhur edhe me “Përjashtimin e shumicës nga hapësira ku merren vendimet dhe përmirësohen politikat…”. Anthony Giddens “Pasojat e modernitetit”, f. 123

Mbase për shkak të së kaluarës sonë të gjatë në suazën e një shoqërie totalitare, pa individualizëm dhe opinion publik të diversifikuar e të strukturuar në format liberal, në të cilën koncepti për opinionin publik ose ka qenë formal, i pavlerësuar as në aspektin sasior apo ndikimin cilësor në jetën sociale. Recidiva të këtyre koncepteve teorike e deformimeve sociale të rolit të opinionit publik, shoqëruar me paqartësi e vlerësime të sipërfaqshme e ndonjëherë krejt sempliste, ndihen edhe në vlerësimin e rolin e tij edhe në shoqërinë e sotme shqiptare. Kjo, e shoqëruar nga shumë pasoja negative, nga që roli i tij nuk është në pozicionin e duhur, në vendin që i takon si faktor dhe “aktor” aktiv e utilitar në proceset e vendimmarrjes demokratike.

Ka ca të vërteta sociale të “reja”, që duhen njohur dhe pranuar në ndikimin dhe identitetin e tyre. Në një shoqëri si kjo jona me tipologji liberale, strukturë likuide, postmoderne, masive dhe mobile, është i vështirë procesi i strukturimit të konsoliduar të opinionit publik. Në këto tri dekada e gjysmë në shoqërinë tonë ka ndodhur një proces social i ndryshimeve të tërësishme, i cili ka diktuar lëvizjen dinamike të strukturës së shoqërisë, për pasojë edhe të opinionit publik duke e bërë ndryshe në sasi, cilësi e format social. Madje, krejt ndryshe nga struktura kompakte e kohës së shoqërisë tradicionale unike e totalitare të epokës së socializmit. Shoqëria aktuale ecën e vendosur drejt një formatimit të një lloj opinioni e fryme publike, që ka në bazën e vet individualizmin dhe egalitarizmin, shfaqjen e opinioneve të personalizuara individuale më shumë se ato me natyrë sociale. Kjo është situata kur çështja e strukturimit të opinionit publik qëndron dhe është e lidhur, sikurse ka thënë sociologu Ernest Gellner me praninë në shoqërinë moderne të njeriut “modular, egalitar dhe individualist”, por që sipas tij duke qenë i aftë për një lloj të veçantë të “kohezionit efektiv”. Ernest Gellner, “Konditat e lirisë”, F 173.

Po ta vështrosh realitetin tonë socio-politik nga jashtë, ose nga ajo që duket dhe pasqyrohet në shumë lëvizje sociale, sidomos në demokratizimin e debatit mediatik dhe hapësirën në rrjetet e komunikimit virtual, të krijohet përshtypja e ekzistencës së një opinion publik të gjerë, dinamik, intensiv e shumëformësh. Por duhet të dalim nga vlerësimet sempliste dhe simulakrat e dukjes së jashtme, për ta parë problemin në thelbin e vet, jetik dhe sociologjik. Sepse për të qenë të vërtetë, të saktë me realitetin tonë socio-politik, ajo që ndihet nuk është mungesa e ekzistencës së opinionit publik, por nevoja e domosdoshme e strukturimit të frymës publike, si komponent përbërës bazë dhe realitet i qëndrueshëm ekzistencial. Në të vërtetë, ndoshta për shkak të brishtësisë së situatës së demokracisë, prishjes së shpejtë të raporteve individ-shoqëri, shpesh herë ky opinion ose është spontan e i pastrukturuar në paradigma të qëndrueshme qytetare, ose reflektohet në formë reagimi anarkik, shumë herë i “derdhur” pa strukturë dhe formë sociale.

Besoj se është e udhës, madje e domosdoshme, që të diskutojmë për këtë problem jetik, ekzistencialisht të domosdoshëm për funksionimin normal të demokracisë dhe rritjen e rolit të qytetarit në jetën politike e publike. Lidhja midis opinionit, frymës publike dhe cilësisë së jetës në shoqërinë tonë demokratike, është me rëndësi të madhe, të cilën me të drejtë filozofja Hanna Arend e konsideron si “…forca më e madhe që sundon një shoqëri të barabartë e demokratike”. Hanna. Arendt, “Mbi revolucionin”, f. 279

Nëse vlerësojmë situatën tonë, nivelin e ekzistencës dhe intensitetin e ulët të shfaqjes së opinionit publik spontan, kaotik, të paorganizuar e të pastrukturuar, kupton se ajo është një nga “mëkataret”, që ka krijuar kushtet kur ekzistenca e mendimit publik të dobët është ose e paorganizuar ose e dominuar nga mendimet individualisht të shpërndara. Kjo është një nga arsyet pse në shoqërinë tonë janë krijuar kushte komode, që njerëzit të kenë më shumë besim tek pakicat politike, drejtuesit dhe udhëheqësit politikë.

Përmirësimi i performancës dhe peshës ndikuese direkte apo të tërthortë të opinionit publik, nuk është aq shumë detyrë e përgjegjësi e politikës se sa është problem i madh social, sepse dinamizmi qytetar, shmangia e indiferentizmit për çështjet e jetës publike, angazhimi strukturor me ide, plane e projekte për përmirësimin e jetës publike, është me sa duket kushti fundamental për emancipimin dhe rigjallërimin e angazhimit të opinionit publik me frymë aktive në zhvillimin e formave të larmishme të lëvizjeve sociale, me efekte kolaterale në përmirësimin e sferës publike. Sepse në fund të fundit, nuk ka demokraci pa kulturë dhe frymë publike të qytetarit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit