Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të mbrojtur veten, duke shkelur çdo ligj dhe normë.
Ai theksoi se Rama, së bashku me familjarët e tij, është i përfshirë në dhjetëra dosje dhe fakte që lidhen me aferat e tij, ndërsa ka gjetur “shpëtimin” në Beograd dhe bashkëpunimin me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
“Rama ka vendosur të shkelë çdo ligj e normë për të mbrojtur veten. Në asnjë rrethanë ai nuk pranon të ulet për aferat e panumërta. Rama, së bashku me familjarët, ka gjetur shpëtimin në Beograd, me Aleksandër Vuçiçin. Ai firmosi letrën famëkeqe me Vuçiçin, duke i deklaruar BE-së se u duhej Vuçiçi, jo Europa. Me Vuçiçin, BE ka pasur një debat shumë të fortë, por Rama, i vendosur pas murit me dhjetëra dosje dhe fakte, ka zgjedhur Beogradin për të mbrojtur interesat e tij.”









