Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, përmes një postimi në rrjetin e tij facebook ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe miqve për ndarjen nga jeta të ish- deputetit demokrat Tomor Dosti, në legjislaturën 1991-1996
Postimi i Nokës
Lamtumirë Tomor Dosti!
Ish Nënkryetar i #PD dhe deputet në dy legjislatura (1991-1996), dha ndihmesën e tij në formësimin e profilit politik të partisë në vitet e para të pluralizmit. Kontribuoi në konsolidimin e strukturave vendore të PD në jugun e Shqipërisë
Z. Dosti pati një jetë të mbushur me mundime. Nëna e tij u pushkatua nga gjermanët në ditën e largimit nga #Tirana, ndërsa pjesa tjetër e familjes u përndoq nga regjimi komunist për dekada me radhë, për shkak të detyrave të mëparshme të babës së tij, nacionalistit Hasan Dosti.
Tomor Dosti ishte i djathtë në gen. Ai u arrestua në vitin 1953 dhe u dënua me 25 vjet burg, i akuzuar dhe gjykuar për “tentativë arratisjeje”. Shumicën e kohës së dënimit e kreu në burgun e Burrelit; vendi ku mbaheshin të izoluar shumë figura të njohura të jetës politike dhe intelektuale shqiptare. Pas lirimit nga burgu, familja e tij kaloi edhe vite të gjata në internim.
I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Dosti për humbjen e njeriut të dashur! Ngushëllime miqve dhe demokratëve që e njohën e punuan me të! Dritë pastë shpirti i tij!









