Në një ceremoni të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, Albana Koçiu ka dorëzuar detyrën e ministrit të Brendshëm te Besfort Lamallari, i cili do të pasojë detyrën pas kalimit të Koçiut në postin e zëvendës-kryeministres. Koçiu falënderoi Kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë dhe vlerësoi sfidën që i është besuar. Nga ana e tij, Lamallari shprehu falënderimet për emërimin dhe theksoi përgjegjësinë e madhe që sjell ky post.
“Unë besoj se kjo stafetë që ndaj sot me Lamallarin, është më shumë një kthim i Besfortit në shtëpi. Për mua ishte nder i jashtëzakonshëm, nuk e kisha menduar ndonjëherë që të drejtoja Ministrinë e Brendshme. Një sfidë që m’u besua nga Rama dhe besoj se e kam kryer me përkushtim. Ministria e Brendshme përveç specifikave, ka edhe një sërë çështjesh që kërkojnë përqëndrim të përditshëm.”
“Nuk kam fjalë për ta përshkruar privilegjin për këtë ditë sot. Përveçse është nderi i jetës, kjo është edhe përgjegjësi e përbashkët, për të realizuar dhe çuar përpara të gjitha punët e nisura. Jam i bindur që këtu do të gjej një familje dhe bashkëpunëtorë shumë të mirë, me të cilët ndajmë të njëjtat vlera. Ky është nderi personal dhe besimi i kryeministrit, të cilin unë e falënderoj.”
/5pyetjet.al









