Katari ka njoftuar rihapjen e pjesshme të hapësirës ajrore për herë të parë që nga nisja e luftës një javë më parë.
Vendimi parashikon vetëm fluturime evakuimi dhe transport të domosdoshëm mallrash, për shkak të shqetësimeve për sigurinë në rajon dhe rrezikun nga sulmet ajrore.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Katarit bëri të ditur se fluturimet do të jenë të kufizuara dhe do të mbështeten në një vlerësim të vazhdueshëm të situatës së sigurisë. Aeroporti Ndërkombëtar Hamad në Doha theksoi se çdo fluturim i ri në ditët në vijim do të varet nga zhvillimet e sigurisë.
Për më tepër, kompania Qatar Airways ka nisur disa fluturime riatdhesimi drejt qyteteve europiane, përfshirë Londrën, Romën, Parisin, Madridin dhe Frankfurtin.
Më herët gjatë javës, autoritetet e Katarit raportuan se ushtria ka parandaluar disa tentativa sulmesh nga Irani ndaj aeroportit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vetëm të premten u kapën nëntë dronë, të cilët dyshohet se kishin në shënjestër territorin e Katarit.
Megjithatë, autoritetet kanë paralajmëruar se situata mbetet e brishtë dhe çdo vendim për zgjerimin e fluturimeve do të merret në përputhje me zhvillimet e sigurisë në rajon.









