Lufta në Ukrainë po shndërrohet në një konflikt të teknologjisë së lartë, ku përveç dronëve ajrorë dhe mjeteve pa pilot në det, përdorimi i robotëve të armatosur tokësorë (UGV) ka marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, Ukraina ka nisur një program të gjerë për integrimin e këtyre automjeteve pa pilot në operacionet luftarake.
Këta robotë, të cilët janë përdorur për të zmbrapsur sulmet ruse dhe për të detyruar dorëzimin e ushtarëve, mund të mbajnë armë të rënda automatike si mitraloza Kallashnikov dhe të hapin zjarr në zona të rrezikshme për njerëzit. Përveç kësaj, Ukraina ka përdorur edhe robotë kamikazë të pajisur me eksplozivë për të goditur pozita të armikut, që lëvizin në heshtje dhe janë më të vështirë për t’u zbuluar sesa dronët ajrorë.
Megjithatë, këta robotë nuk janë plotësisht autonomë. Vendimi për të hapur zjarr gjithmonë merret nga një operator njerëzor për të shmangur pasojat për civilët. Përdorimi i këtyre mjeteve është i menaxhuar në distancë, duke përfshirë operacione të tilla si vendosja e minave dhe transporti i furnizimeve. Edhe Rusia po zhvillon robotë të ngjashëm, përfshirë modelin “Kuryer” i cili mund të operojë autonom dhe të pajiset me flakëhedhës ose mitraloz të rëndë.









