Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në statusin e tij në facebook ka ndarë një mesazh urimi për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke theksuar rëndësinë dhe fuqizimin e grave në Kosovë përmes punësimit dhe mbështetjes ekonoimike.
Postimi i Kurtit
Të Drejta. Drejtësi. Veprim.” Kjo është tema e Ditës Ndërkombëtare të Gruas këtë vit. Në mbarë botën, gratë dhe vajzat po kërkojnë të drejtat e tyre, drejtësi e solidaritet, mundësi të barabarta.
Dita Ndërkombëtare e Gruas na e kujton se barazia thërret për veprim. Në Kosovë po fuqizojmë gratë përmes punësimit, mbështetjes ekonomike, rritjes së pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje dhe luftës kundër dhunës me bazë gjinore. Mbi 12 mijë gra të mbështetura në punësim, rritje e pronësisë së grave dhe mekanizma më të fortë mbrojtjeje janë hapa konkret drejt barazisë në vendin tonë, ashtu që të drejtat e grave mos të mbeten vetëm në ligje dhe deklarata – por të garantohen me drejtësi reale, në jetën e përditshme kolektive, në përvojën individuale të secilës.
Barazia nuk është vetëm premtim – është veprim. Dhe ky angazhim vazhdon.
Urime Ditën Ndërkombëtare të Gruas – barazia është punë dhe përgjegjësi e përbashkët!