SPAK zbardhi vrasjet e Gentjan Qarrit dhe të Bledar Birçaj në Vlorë në 2021. Grupi akuzohet edhe për trafik droge nga Ekuadori drejt vendeve të BE-së. Polici Rezart Kuçi dyshohet se i ka shërbyer grupit Hajrulla edhe kur ka qenë shef i krimeve në Vlorë. Partia Demokratike akuzon se Rezart Kuçi jo vetem e furnizonte bandën me informacion për rivalët, por edhe dekonspironte operacionet e policisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Deklarata e deputetit të PD, Klevis Balliu:
Operacioni i SPAK, bazuar në përgjimet e SKY ECC, sjellë nga partnerët belgë, ka ekspozuar sërish një realitet dramatik: shndërrimin e shtetit në narkoshtet. Nga institucion që mbron qytetarët dhe lufton krimin, policia në shumë raste, tashmë të dokumentuatra, është shndërruar në dorë të zezë të krimit në punët e shtetit.
Dosja e fundit e SPAK përfshin një rast tronditës. Rezart Kuçi, bashkëpunonte me grupin kriminal të Inez Hajrullës në kohën kur shërbente si shef krimesh në Vlorë. Ai, jo vetem e furnizonte bandën me informacion për rivalët, por edhe dekonspironte operacionet e policisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Në këtë dosje dokumentohet porosia per një sasi prej 400 kilogramë kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Një pjesë është trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor të vitit 2020 dhe është sekuestruar nga autoritetet gjermane.Dosje si “Metamorfoza”, “Flakë në Det”, “Çopjat”, “Çelajt” etj., kanë një element të përbashkët: zyrtarë të shtetit si pjesë integrale e strukturave të krimit të organizuar.
Ata policë që në kohën e Saimir Tahirit merrnin përqindje nga parcelat e kanabisit, në kohën e Sandër Lleshajt dhe Taulant Ballës evoluan drejt një kriminaliteti më të sofistikuar, duke porositur kontejnerë me kokainë nga Amerika Latine për tregun europian.
Oltion Bistri, kryepolici me 5 milionë euro pasuri, është pasqyrim i këtij progresi në kriminalitet dhe regresi të shtetit.Tonelatat e droges te qarkulluara nga narkotrafikanet shqiptare me ndihmen e strukturave të kriminalizuara të narkoshtetit të Edi Ramës janë një realitet dramatic.
Miliardat e këtij trafiku pastrohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, me lejet e dhëna nga Rama. 14 milionë metra katrorë leje ndërtimi, një volum i paprecedent që krijon terrenin ideal për pastrimin enarko- eurove, janë fakt. Eshtë e papranueshme dhe e padrejte që pasuritë e krijuara nga krimi të mbeten thjesht nën administrimin burokratik të shtetit. Ato duhet t’u kthehen qytetarëve.
Në këtë kuadër, kam paraqitur një projektligj, i cili parashikon që pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar apartamente, prona dhe asete financiare të përdoren drejtpërdrejt për familjet e efektivëve të rënë në detyrë, për familjet e qytetarëve që kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve të bandave kriminale, si dhe për çiftet e reja, që sot e kanë gjithnjë e më të pamundur të sigurojnë strehim.
Pasuritë e krimit duhet të përdoren për të mbështetur familjet që kanë sakrifikuar për vendin dhe për të krijuar mundësi reale që të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.
Ne duhet ta crrënjosim këtë sistem i cili nuk mund të funksionojë pa mbështetjen e kreut të qeverisë.Ne duhet të ngrihemi kundër kartelit politik dhe kriminal që ka kapur Policinë e Shtetit dhe qeverinë, për të mbrojtur njerëzit, demokracinë, shtetin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Më 12 mars ne protestojme pikërisht për këto vlera dhe kundër këtyre krimeve.









