Ish-deputeti demokrat Asllan Dogjani, përmes një postimi në facebook, ka reagur lidhur me rrëzimin e kërkesës së SPAK, teksa sot Kuvendi me 82 vota pro dhe asnjë abstenim, ka vendosur kundër heqjes së Imunitetit dhe arrestimit të Belinda Ballukut.
Postimi i Dogjanit
Sot u pa qartë se, çfarë është në të vërtetë ajo që e quajnë “drejtësia e re”.
Parlamenti i Edi Ramës votoi kundër arrestimit, duke treguar edhe një herë se kur vjen puna për të mbrojtur të tijët, pushteti bashkohet kundër drejtësisë.
Disa vite më parë, reforma në drejtësi dhe SPAK u votuan me shpresën se askush nuk do të ishte mbi ligjin. Por sot pamë të kundërtën: kur drejtësia afrohet te pushteti, pushteti ngre mur.
Edi Rama e dinte që kjo ditë do të vinte. Prandaj bëri gjithçka për të “siguruar” 83 mandate në Parlament, një shumicë që sot u përdor jo për drejtësi, por për të mbrojtur pushtetin nga drejtësia.
Protesta e sotme tregoi se qytetarët nuk janë të gatshëm ta pranojnë këtë hipokrizi.
Drejtësia nuk mund të pengohet nga votat e një shumice, që përdor pushtetin si mburojë.
Lufta për drejtësi nuk mbaron me një votim në Parlament. Ajo vazhdon, derisa askush të mos jetë mbi ligjin.