Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër përshkallëzimit të luftës duke goditur infrastrukturën energjetike, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të shkatërronte kapacitetin elektrik të Iranit “brenda një ore”.
“Nëse e bëjnë këtë, i gjithë rajoni do të mbetet pa drita për më pak se gjysmë ore dhe errësira ofron mundësi të bollshme për të ndjekur ushtarët amerikanë që vrapojnë për siguri,” tha Larijani në një postim në X këtë të enjte.
“Ndërsa nisja e një lufte është e lehtë, ajo nuk mund të fitohet me disa postime në rrjetet sociale. Ne nuk do të ndalemi derisa t’ju bëjmë të pendoheni për këtë gabim të rëndë,” shtoi ai.
Komentet vijnë një ditë pasi Trump tha se SHBA-të kishin neutralizuar në masë të madhe kapacitetet ushtarake të Iranit në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila filloi më 28 shkurt.
“Ata nuk kanë flotë, nuk kanë forcë ajrore, nuk kanë mbrojtje kundërajrore… Ne po veprojmë të lirë mbi atë vend,” tha presidenti amerikan për gazetarët në Maryland.
Ai paralajmëroi se Washington-i mund të godiste sistemet e energjisë nëse vendoste të intensifikonte fushatën ushtarake. “Ne mund të shkatërrojmë kapacitetin e tyre elektrik brenda një ore, dhe do t’u duhej 25 vite për ta rindërtuar,” tha ai.
Më vonë, në një tubim elektoral në Kentucky, Trump pretendoi se SHBA-të tashmë e kishin “fituar” luftën me Iranin dhe tani duhej “të përfundonin punën”.
Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) të enjten tha se rreth 6 mijë objektiva ishin goditur në Iran që nga fillimi i sulmeve të para nga SHBA-të dhe Izraeli 12 ditë më parë.
Më shumë se 90 anije iraniane u dëmtuan ose u shkatërruan, përfshirë mbi 60 anije dhe mbi 30 mjete për vendosjen e minave që nga fillimi i operacionit, tha CENTCOM, sipas Al Jazeera.
Komentet e Larijanit erdhën pak pas deklaratës së parë të udhëheqësit suprem të ri të Iranit, Mojtaba Khamenei, ku ai bëri thirrje për unitet kombëtar dhe tha se Ngushtica e Hormuzit, një arterie kyçe e transportit global, do të mbetej e mbyllur për të ushtruar presion ndaj armiqve të Iranit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të mërkurën tha se nuk do të lejonte “as një litër naftë” të kalonte përmes ujërave kyçe të Gjirit.
Çmimet globale të naftës kanë luhatur ndjeshëm këtë javë gjatë sulmeve të vazhdueshme SHBA-Izrael kundër Iranit, i cili është kundërpërgjigjur duke lëshuar raketa dhe dronë ndaj objektivave në gjithë Lindjen e Mesme.
Në një postim në Truth Social të enjten, Trump tha se SHBA-të po përfitonin nga rritja e çmimeve të naftës. “Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh i naftës në botë, me diferencë të madhe, kështu që kur çmimet e naftës rriten, ne fitojmë shumë para,” shkroi ai.
Ai shtoi se me “interes dhe rëndësi më të madhe” është ndalimi i Iranit nga posedimi i armëve bërthamore dhe “shkatërrimi i Lindjes së Mesme dhe, në fakt, i botës”.









