SHBA-të nisën dje një sulm paralajmërues në ishullin Kharg, “xhevahiri në kurorën” e Iranit. Donald Trump tha se SHBA-të kishin kryer “një nga sulmet më të fuqishme bombarduese në historinë e Lindjes së Mesme”.
Në një postim në Truth Social, ai pretendoi se gjatë këtyre sulmeve ata “shkatërruan plotësisht çdo objektiv ushtarak në ‘xhevahirin e kurorës’ të Iranit, Ishullin Kharg”.
Ai shtoi gjithashtu se “për arsye mirësjelljeje, zgjodha të mos e eliminoj infrastrukturën e naftës në ishull”.
Trump paralajmëroi gjithashtu se do ta “rishqyrtojë menjëherë” vendimin e tij për të mos synuar infrastrukturën e naftës në ishull nëse Irani vazhdon të “ndërhyjë” me anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit aty pranë.
Nga ana e tij, Irani, nëpërmjet përfaqësuesit të shtabit të përgjithshëm qendror të Haram al-Anbiya, i cili është në varësi të Gardës Revolucionare, sipas mediave iraniane, u përgjigj se në një rast të tillë, domethënë, nëse SHBA-të godasin objektet e naftës në ishullin Kharg, “të gjitha objektet e naftës, ekonomike dhe energjetike në rajon që pjesërisht i përkasin ose kanë bashkëpunim me SHBA-në do të shkatërrohen menjëherë”, ato do të “kthehen në hi”.
Në një kërcënim më të ri, Garda Revolucionare paralajmëron se i konsideron të gjitha objektivat amerikane në Emirate si objektiva legjitime.
Në mënyrë specifike, ata thanë se interesat amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), duke përfshirë portet dhe instalimet ushtarake, janë objektiva legjitime, pas sulmit të forcave amerikane në ishujt iranianë.
Në të njëjtën deklaratë, Garda Revolucionare Iraniane u bën thirrje banorëve të Emirateve të Bashkuara Arabe të evakuojnë portet, objektet dhe strehimoret ushtarake amerikane në mënyrë që të shmangen viktimat civile.









