-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Augustin Palokaj: Me koordinim më mirë se pa koordinim – nëse ka mundësi

Kryesoret

Në më shumë se 15 vjet sa po zgjat dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, jo vetëm se nuk është arritur normalizimi i raporteve, por nuk është krijuar as minimumi i mirëbesimit mes palëve. E pikërisht krijimi i besimit në fillim të procesit të dialogut ishte qëllimi i parë. Por, dialogu nuk ishte përgatitur mirë, nuk kishte të qartë se për çfarë është e për çfarë nuk është ai dialog. Përderisa u bë e qartë në fillim se dialogu “nuk është për statusin e Kosovës“, sepse statusi ishte caktuar edhe pse pavarësia nuk u njoh nga të gjitha vendet e BE-së, dhe kthim prapa nuk do të duhej të kishte.

Kështu në fillim dialogu u paraqit si diçka krejt teknik, si një proces në të cilin do të zgjidheshin disa çështje teknike që kanë ndikim të madh në jetën e përditshme të qytetarëve. Mendohej në lëvizjen e lirë të njerëzve, njohjen e dokumenteve shkollore dhe kadastrale, shkëmbimin e energjisë elektrike dhe rregullimin e jetës së komunitetit serb në Kosovë, e kështu me radhë. Por, shpejt u pa se mes Kosovës dhe Serbisë secili problem, edhe ai më i vogli teknik, ishte pasojë e mospajtimeve rreth statusit të Kosovës. BE-ja aspak nuk e ndihmoi zgjidhjen e këtij mospajtimi, por preferoi të luajë kinse rolin “neutral ndaj statusit”. Kjo qasje ishte që në fillim e njëanshme, sepse Serbia ishte shtet për BE-në, ndërsa Kosova jo.

Dhe nëse Serbisë i lihet mundësia të sillet sikur Kosova nuk është shtet dhe ajo nuk ka nevojë ta njohë, atëherë kjo dihej se do ta stimulonte Serbinë t’i mbajë strukturat e saja shtetërore në Kosovë. Në këtë mënyrë Serbia sfidoi Pavarësinë e Kosovës duke pasur struktura të saj në territorin e Kosovës, disa në mënyrë të hapur si komunat, shkollat dhe shëndetësinë, e disa në mënyrë ilegale si policinë dhe shërbimet e sigurisë. BE-ja këtë e dinte, por nuk e pengonte.

Me kalimin e kohës dialogu u bë krejtësisht politik duke rezultuar edhe me marrëveshje të cilat u interpretuan ndryshe dhe në masë të madhe nuk u zbatuan. Sidomos në periudhën e mandatit të përfaqësuesit të lartë Josep Borrell dhe të dërguarit të tij të posaçëm për dialog Miroslav Lajçak, dy kundërshtarë të dëshmuar të pavarësisë së Kosovës, u forcua bindja se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet medoemos të jetë përmes njohjes mes tyre si dy shtete. Në këtë mënyrë Borrell dhe Lajçak keqpërdorën postet në BE për t’i shtyrë përpara qëndrimet e vendeve të tyre që nuk e njohin Kosovën e në rastin e Lajçakut mund të ketë qenë edhe promovimi i interesave të Rusisë me politikanët e së cilës ai kishte afërsi dhe ndjenjë dashurie, siç dëshmuan rishtazi dokumentet nga afera e pedofilit Jefrey Epstein. Lajçak ishte mik i tij dhe, pos shkëmbimit të turpshëm të mesazheve për femra, doli që Lajçak shërbente edhe për lidhjet me politikanët nga Rusia.

Lajçaku me sjelljen e tij dhe Borrelli për shkak të mosdijes, krijuan edhe më shumë paqartësi në proces sesa që zgjidhën ndonjë problem.  BE-ja nën mandatin e tyre nuk sqaronte se kush ka e kush jo të drejtë të ushtronte punën e  policisë në veri, dhe krijoi përshtypjen sikur edhe për Policinë e Kosovës ka kufizime për të vepruar në atë pjesë të vendit. Një qasje e tillë solli edhe pasoja të rënda, kryengritje të serbëve kundër Policisë së Kosovës, largim nga institucionet dhe sulmin në Banjskë të cilin edhe vetë Borrelli u detyrua ta quante si sulm terrorist.

Për ta shtrirë praninë e strukturave të shtetit në tërë territorin e Kosovës, Qeveria e Kosovës organizoi zgjedhje lokale që u bojkotuan nga serbët, pastaj rriti praninë e Policisë dhe nisi zbatimin e disa marrëveshjeve për të cilat edhe kishin rënë dakord më herët, por nuk po zbatoheshin, siç janë targat e veturave dhe dokumentet e identitetit. Kjo sjellje e Kosovës u konsiderua si “e pakoordinuar” dhe “e njëanshme”. Për më tepër, Kosova u fajësua për krijim të tensioneve dhe si pasojë u ndëshkua me masa nga BE-ja, që në shifra ishin rreth 500 milionë euro fondesh që iu bllokuan.

Tash është një fazë e re në raportet mes Kosovës dhe BE-së. Janë përmbyllur procedurat në Komisionin  Evropian për heqjen e masave dhe me këtë janë pajtuar edhe vendet anëtare. Pra, mund të thuhet se masat janë hequr. Dhe tash ka një besim më të madh mes BE-së dhe Kosovës. Ky kthim i mirëbesimit duket se ka ndihmuar edhe në arritjen e marrëveshjes  për hyrjen në fuqi të Ligjit për të huajt dhe afati kalimtar për disa kategori të serbëve që në Kosovë do të marrin leje të përkohshme qëndrimi. Kjo është mirëpritur edhe në Bruksel. Për më tepër, kjo nga diplomatët konsiderohet si dëshmi se me koordinim dhe bashkëpunim mund të arrihen zgjidhje të favorshme për të gjithë, që në njërën anë të respektohen ligjet e Kosovës, e në anën tjetër të evitohen pasojat për një kategori të qytetarëve.

Këtë marrëveshje e ka përshëndetur edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke paralajmëruar se është e gatshme të thërrasë edhe një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.

Marrëveshja për mënyrën e zbatimit të Ligjit për të huajt ishte kompromis. Dhe asnjë kompromis nuk është i lehtë, sepse nënkupton heqje dore nga diçka. Sa herë ka kompromis, është legjitime që opozita kritikon Qeverinë. Kësaj radhe kritikojnë pse kryeministri Kurti lëshoi pe ndaj kërkesave të BE-së. Po të mos kishte lëshuar pe, do të kritikohej se pse i prish raportet e Kosovës me BE-në. Marrëveshja e së shtunës dëshmoi, pas një kohe shumë të gjatë, se më mirë është të veprohet me koordinim se pa koordinim – nëse një gjë e tillë është e mundshme. Po të mos kishte koordinim dhe rezultat kësaj radhe, me paqartësitë politike në Kosovë, do të rrezikohej edhe një konfrontim tjetër me Bashkimin Evropian që Kosovës nuk i duhet në këtë moment./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit