Partia e Lirisë ka paraqitur një projektligj në Kuvend për uljen e çmimit të karburanteve, duke theksuar se ky është një problem që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe bizneseve shqiptare.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Tedi Blushi, ka kritikuar qeverinë për neglizhencë ndaj kësaj çështjeje dhe ka kërkuar miratimin e ligjit për uljen e taksave mbi karburantet.
“Kanë kaluar gati dy javë që nga depozitimi në Kuvend i projektligjit të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë për uljen e çmimit të karburanteve dhe deri tani nuk ka asnjë reflektim nga Edi Rama dhe mazhoranca rilindase, të marrë peng edhe nga oligarkët e babëzitur të naftës. Kjo heshtje është e pajustifikueshme përballë një problemi real që prek drejtpërdrejt çdo familje shqiptare dhe çdo biznes në vend, veçanërisht në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, që pritet të sjellë pasoja direkte edhe në rritjen e çmimit të karburanteve në vendin tonë. Sot çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur rreth 200 lekë për litër, ndërkohë që mbi 60% e këtij çmimi janë taksa që shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit. Partia e Lirisë beson se e vetmja politikë reale, e vërtetë dhe që ndihet në xhepin e qytetarit, që po aplikohet nga shtete edhe të Europës Perëndimore, por edhe në vendet e rajonit, është ulja e taksave.”
Blushi ka theksuar se kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon veprim urgjent për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së karburanteve në Shqipëri, e cila ndikon në çdo aspekt të jetës së përditshme të qytetarëve.









