Partia Demokratike mbajti mbrëmjen e sotme foltoren e saj të radhës në bulevardin para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Edhe pse mungonte kreu i selisë blu, Sali Berisha, të pranishëm ishin disa deputetë të opozitës dhe mbështetësit demokratë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, deputeti Flamur Noka, tha në fjalën e tij se lëvizja e opozitës pas zgjedhjeve të 11 majit dhe qëndresa për të mos u dorëzuar përballë qeverisë së korruptuar, bëri transparencën dhe i nxori socialistët zbuluar para ndërkombëtarëve.
“Anija e socialistëve po fundoset dhe socialistët e dinë. Edi Rama qeveris me vjedhjet e Ballukut dhe krimin e Agasit. Fal nesh dolën në dukje vjedhjet e tyre. Sali Berisha dhe ne nuk u dorëzuam në rrugën tonë, në denoncimet e tyre. Rama e ndjen, ai ka panik dhe për shkak të këtij paniku, javën e kaluar vendosi precedent të rrezikshëm, që askush nuk ka guxuar më parë që ta bëjë. Ai vendosi antishtetin me 83 kartonat e tij përballë shtetit. Ndaj mbrojti mandatin e Belinda Ballukut, jo se i dhimbsej Belinda, por se e dinte se po i vinte radha atij dhe ndaj ngriti antishtetin”, u shpreh Noka.









