Kreu i Grupit Parlamnetar të PS, Tauland Balla, ka reagur në facebook pas vendimit të PD e cila ditën e nesërme nuk do të marrë pjesë në seancën plenare.
Sipas Ballës kjo është keqardhje pasi nesër Kuvendi do të shpallë Iranin shtet sponsorizues të terrorizmit.
Ndër të tjera Balla u tha demokratëve se kush ju ka urdhëruar që nesër të bojkotni seancën plenare, nuk ia dashka të mirën Shqipërisë.
Taulant Balla theksoi se nuk mund të shkelet rregullorja e propozuar dhe e miratuar një muaj më parë.
Reagimi i plotë i Ballës
Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni. Gjithashtu qenka thënë se seanca është thirrur në kundërshim me Rregulloren. Gënjeshtër! Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë.
Gëzuar Natën e Kadrit









