Ka nisur seanca plenare në Kuvend, pas Konferencës së Kryetarëve që miratoi përfshirjen në rend dite të pr.rezolutës së PS për shpalljen e Iranit shtet terrorist.
Nga Kuvendi fjalën e ka marrë Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili ka kërkuar një zëri miratimin e kësaj rezolute, duke shprehur keqardhje për bojkotin e PD.
Ndër të tjera Balla theksoi se kjo rezolutë nuk është kundër popullit të Iranit, por ndaj praktikave të regjimit që mbështesin terrorizmin, këtë e vuan edhe vetë populli i thjeshtë iranianë.
“Keqardhje për mungesën sot në këtë seancë të deputetëve të tre grupeve parlamentare të opozitës, të cilët nuk ditën që në një moment solemn të qëndrimit të menjëhershëm urgjent të Shqipërisë përkrah SHBA, Francës, e vendeve të BE, nuk dolën sot nga interesi i vogël i javës së njoftuar për një tjetër protestë të pakryer. Të vinin në seancën e Kuvendit dhe ta mbështesnin këtë qëndrim që është i domosdoshme, urgjent dhe i nevojshëm sa i përket dhe kontekstit të ri pas zhvillimeve, sulmit kibernetik sa i përket interesit të Shqipërisë, përbrenda nesh, edhe me zhvillimin që lidhet dhe me bllokimin e kanalit të Hormuzit. Duhet ta shohim si deklaratë të qartë të vlerave si vend demokratik dhe aleat i NATO-s”, tha Balla.









