Arrestohet në flagrancë një person që transportonte armë dhe municione, që dyshohet se i kishte marrë në fshatin Shëngjergj, me qëllim shitjen në Tiranë. Sekuestrohen 4 kallëpe tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë.
“Si rezultat i punës intensive operative dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të shtetasve të përfshirë në transportim/shitje të armëve shpërthyese dhe armëve të zjarrit, për përdorim në ngjarje kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan me sukses operacionin e koduar “Synimi”.
Gjatë operacionit, u kap në flagrancë, në rrugën e fshatit Shëngjergj, shtetasi U. M., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Nga kontrolli në automjetin që drejtonte, u gjetën 4 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Armët dhe municioni u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit.
Vijon hetimi, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale” njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.









