Një gjykatë federale në SHBA ka shpallur të paligjshëm vendimin për mbylljen e Voice of America, duke urdhëruar rikthimin e menjëhershëm në punë të rreth 1,000 punonjësve dhe rifillimin e aktivitetit të plotë të këtij institucioni.
Vendimi është marrë nga gjyqtari federal Royce C. Lamberth, pjesë e Gjykatës së Qarkut për Distriktin e Kolumbias në Washington D.C., i cili konstatoi se tentativa për “shuarjen” e Agjencisë Amerikane për Median Globale, U.S. Agency for Global Media (USAGM), ka shkelur ligjin federal administrativ.
Në vendimin e tij, gjyqtari thekson se autoritetet kanë vepruar në mënyrë arbitrare dhe të pajustifikuar, pa ndjekur procedurat ligjore dhe pa dhënë argumente të mjaftueshme për një ndërhyrje kaq drastike. Sipas tij, pezullimi masiv i punonjësve dhe reduktimi ekstrem i operacioneve përbën në praktikë një mbyllje të institucionit, e cila nuk mund të kryhet pa respektuar ligjin.
Gjykata urdhëroi jo vetëm rikthimin e stafit, por edhe ndalimin e çdo veprimi tjetër që synon kufizimin apo mbylljen e aktivitetit të VOA-s, duke e cilësuar ndërhyrjen si tejkalim të kompetencave nga ana e autoriteteve përgjegjëse.
“Zëri i Amerikës”, i themeluar gjatë Luftës së Dytë Botërore, konsiderohet një nga instrumentet kryesore të SHBA-së për informimin ndërkombëtar, veçanërisht në vendet ku media e lirë është e kufizuar. Për këtë arsye, tentativa për mbylljen e tij u pa si një zhvillim i rrezikshëm për rolin e medias publike.









