Një ngjarje e rëndë ka trishtuar qytetin e Korçës, pas humbjes tragjike të efektivit të Policisë së Burgut, Krenar Çekiçi, i cili humbi jetën më 18 mars në një aksident të tmerrshëm.
Aksidenti ndodhi në segmentin e rrugës Korçë-Maliq, pranë fshatit Lumalas, ku dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën. Krenari, i cili u plagos rëndë, pas disa orësh nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Drejtoria e Burgut të Drenovës ka ndarë një postim prekës dhe ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e tij, duke theksuar se kujtimi i Krenarit do të mbetet gjithmonë i nderuar dhe i respektuar në institucionin e burgut.
Postimi i Burgut të Drenovës:
“IEVP Korçë shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të punonjësit tonë, Krenar Çekici, i cili humbi jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti fatal.
Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i respektuar në institucionin tonë. U prehtë në paqe”.









