Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar pas mungesës së përfaqësuesve të tij në delegacionin zyrtar të Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani.
Ata theksojnë se, pavarësisht kërkesës fillestare për përfshirjen e dy deputetëve, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka marrë një vendim të papritur për të përjashtuar grupin e PD-së nga delegacioni.
Ky vendim, sipas opozitës, është një veprim i paprecedent dhe një dëshmi e largimit nga standardet demokratike të Bundestagut gjerman.
Partia Demokratike shpreh se ky veprim nuk do të pengojë angazhimin e saj në përfaqësimin e Shqipërisë përmes takimeve të planifikuara më herët në Bundestag dhe në nivelet më të larta të Qeverisë Federale Gjermane.
Sqarimi i Grupit të PD
Në përgjigje të interesit të medias lidhur me mungesën e Grupit më të madh të opozitës në Kuvend, në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani, Grupi Parlamentar i PD sqaron si më poshtë:
Në vijim të kërkesës së datës 4 Mars 2026 të vetë Kryetarit të Kuvendit për të caktuar dy deputetë të grupit tonë parlamentar në këtë Delegacion, nga ana e kryetarit të grupit parlamentar u caktuan z. Tomorr Alizoti – Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani; si dhe z. Klevis Balliu – Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani.
Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional.
Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i maxhorancës parlamentare.
Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!
Ne nuk presim standarde europiane nga një Kryetar Kuvendi që nuk vendos dot vetë, por urdhërohet nga ushtarët politikë të Suel Çelës.
Po të mos ishte në kërkim ky i fundit, sot mund ta shihnim si pjesë të delegacionit njëpartiak në Bundestag.
Mirëpo, kjo sjellje e Kryetarit të Kuvendit nuk e pengon opozitën që të përfaqësohet në marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtar. Opozita po zhvillon takimet e saj në Bundestag dhe në Qeverinë Federale Gjermane, në nivelet më të larta, të planifikuara më herët. Ne po përfaqësojmë PD dhe Shqipërinë me dinjitet dhe me qëndrime të qarta për shtetin ligjor dhe integrimin europian.
/5pyetjet.al









