E ndërsa u shpreh se Ervin Salianji si i vetëpërjashtuar nuk mund të kandidojë përballë tij për kryetar të PD-së, Sali Berisha tregoi një episod me ish-deputetin që tashmë e ka përballë.
“I vetëpërjashtuari është i vetëpërjashtuar, nuk ndryshon asgjë. Tani pse e birëson ky apo ai politikisht kjo nuk është puna ime. I gëzofshin ata që i birësojnë. E birësuan, iku mori fund. Shiheni vetë. Po të mos birësohej, do të ishte ai. Unë kam shumë kënaqësi të kem rivalë dhe në të gjitha kohërat kam pasur rivalë, por kur tjetri birësohet bën zgjidhjen e tij.
Një ditë më vjen nga burgu në zyrë dhe më thotë, erdha të marr një mendim, cfarë i them unë? E prita mirë. Më thotë më kanë ngelur tre muaj burg por kërkohet nga unë një deklaratë se nuk do të vras Fatmir Xhafën. Kush ta kërkon? Gjykata dhe burgu.
I them unë po ti je i burgosur politik nuk ke lidhje me Xhafën dhe unë të këshilloj se një deklaratë të tillë të mos e bësh sepse merr fajësinë. Këshilla ime është që të mos e firmosni se kjo të fajëson dhe të mbet, ti je i ri në karrierë. Iku. Doli, erdhi. Cfarë bëre? Nuk ma kërkuan më më tha. Tani të tjerat lexoni vetë” tha ai.









