Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të fuqishëm gjatë foltores së tij në sheshin përpara Kryeministrisë, ku theksoi angazhimin e PD-së për të luftuar kundër asaj që ai e quajti “diktaturën e drogës dhe krimit.”
Berisha u shpreh se revolta e qytetarëve dhe angazhimi për ndryshim janë thelbësorë për të përmbysur regjimin aktual, duke përmendur edhe angazhimin e PD-së për sistemin demokratik që u soll në Shqipëri 34 vjet më parë.
“Mirënjohje të pakufijshme ndaj jush. Qëndrestar si zëri i ndërgjegjes së një kombi që nuk pajtohet me të keqen, padrejtësinë. Ne dje, zgjodhëm jo fjalimet, po zgjodhëm zërin zemërimin, ndjenjat e qytetarëve për të nderuar një ditë të madhe. Zgjodhëm revoltën qytetare, për të dëshmuar se PD, që 34 vjet më parë solli në këtë vend sistemin demokratik, nuk pajtohet kurrë me diktaturën e drogës, krimit, dhunimit të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Pra, revolta e djeshme ishte një zotim qytetar se ashtu siç përmbysëm 34 vite më parë të keqen e madhe, ashtu do ta përmbysim dhe jemi në këmbë për të përmbysur diktaturën e drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.”









