Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar lidhur me pasojat e rritjes së çmimeve të produkteve bazike dhe karburanteve, duke paralajmëruar një fenomen të ri në Shqipëri, të cilin ai e quan “eksod ditor”.
Sipas tij, qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin çdo ditë për të siguruar jetesën, duke blerë naftë dhe ushqime më të lira nga vendet fqinje.
“Nga ikja përjetë, tek ikja përditë është niveli i ri i krizës për Shqipërinë,” tha Këlliçi. Ai shtoi se rreth 40 mijë qytetarë largohen çdo vit nga Shqipëria, ndërsa lëvizja përditshme drejt vendeve fqinje për arsye ekonomike ka shënuar një rritje të dukshme.
Këlliçi e cilësoi këtë situatë si pasojë të një qeverisje të dështuar dhe bëri thirrje për një reagim të qytetarëve dhe politikës për të ndryshuar këtë realitet. “Sado kriminal, ky nuk është fatalitet pa zgjidhje dhe e kemi në dorë ta ndalim këtë përçudnim që nuk u lejon më shqiptarëve të jetojnë brenda vendit pa dalë çdo ditë jashtë për të mbijetuar,” theksoi ai, duke përfunduar se ka nisur kërkesa për informacion në Ministrinë e Energjetikës dhe Drejtorinë e Doganave për të marrë të dhënat mbi sasitë e zhdoganuara dhe çmimet e importeve.
/5pyetjet.al









