Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim në Bruksel me Komisionerin Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, për të diskutuar mundësitë për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, sidomos në fushat e sigurisë dhe menaxhimit të kufijve.
Lamallari theksoi rezultatet pozitive të arritura nga Shqipëria, si në luftën kundër drogës dhe kriminalitetit, ashtu edhe në avancimin e reformave në sistemin e drejtësisë. Ai vuri në dukje përparimin në negociatat për Kapitullin 24 të integrimit evropian, një kapitull kyç për anëtarësimin në BE.
“Në emër të qeverisë shqiptare, shpreha vullnetin dhe angazhimin për të thelluar bashkëpunimin dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e rezultateve, përmes zgjerimit të pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe Policisë së Shtetit në më shumë platforma dhe baza të dhënash të Komisionit Evropian për zbatimin e ligjit”, tha Lamallari pas takimit.









