“I veshur me një tuta të zezë Nike dhe duke qëndruar disa metra larg gruas së viktimës, Saraiva tundi kokën në bankën e të akuzuarve me fasadë xhami gjatë shpalljes së vendimit”.

Gazeta britanike “Daily Mail” ka publikuar një artikull mbi historinë e vrasjes së biznesmenit shqiptar Ardian Nikulaj në Lezhë, duke përfshirë edhe foto ekskluzive nga seanca gjyqësore ku portugezi Ruben Saraiva u dënua me burgim të përjetshëm. Sipas tabloidit britanik, ai është paguar 1 milion paund për të kryer këtë vrasje.
Saraiva, i rritur në Reading, Berkshire, kishte udhëtuar nga Londra në Shqipëri dy muaj para krimit të prillit 2023 si pjesëtar kryesor i një bande britanike të dyshuar për vrasje. Sipas prokurorëve, banda përfshinte edhe një nënë të re nga Bristoli, e angazhuar për të ndihmuar në operacion.
Në seancën e gjykatës, mes masave të rrepta sigurie, gjykatësi Lirim Bulica i tha Saraivës se do të kalojë pjesën tjetër të jetës në një burg të sigurisë së lartë, pasi u shpall fajtor për vrasje me paramendim në bashkëpunim me të tjerë dhe posedim të paligjshëm të armëve.
Në një deklaratë, familja Nikulaj e mirëpriti seancën dëgjimore të së enjtes si një “hap përpara në ofrimin e drejtësisë për Ardianin”, por shprehu shqetësim për vonesën në ekstradimin e të dyshuarve të tjerë nga Mbretëria e Bashkuar.
“Pavarësisht vendimit të sotëm në lidhje me Ruben Saraiva, ne vazhdojmë të ndihemi të lënduar nga fakti që Ardiani i trajtoi të gjithë individët britanikë që erdhën në hotelin e tij si turistë dhe u trajtua prej tij me një respekt të thellë, por në realitet, dyshojmë se kishin ardhur me qëllimin për ta mbikëqyrur atë në mënyrë që më vonë të vritej nga bashkëpunëtori i tyre, Ruben Saraiva”.









