Se herë që vjen koha për ndeshjet ndërkombëtare të Kosovës në futboll, të gjithë, bile edhe ata që nuk janë adhurues të këtij sporti, duan patjetër një biletë për ta parë ndeshjen e Kombëtares kur luan në shtëpi.
Kërkesat për bileta për ta parë një ndeshje të Kombëtares në Stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë janë përherë të mëdha, por, mbase asnjëherë nuk kanë qenë më të mëdha sesa tani për ndeshjen historike të 31 marsit kundër Turqisë.
Kosova e pret Kombëtaren turke në një ndeshje ku synon të kualifikohet për herë të parë në Kupën e Botës dhe shumë kosovarë kanë mbetur të zhgënjyer nga pamundësia për të qenë në stadium për këtë ndeshje. Rëndësia e ndeshjes dhe kërkesat e mëdha kanë bërë që biletat të shiten në treg të zi me çmime marramendëse. Më poshtë shpjegojmë pse ka kaq shumë kërkesa për bileta dhe si përfundojnë ato në treg të zi.
Si shiten biletat?
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i shet online biletat për ndeshjet e Kombëtares. Ajo e publikon njoftimin, zakonisht disa ditë para ndeshjes, në uebfaqen e vet dhe në rrjete sociale, së bashku me linkun ku mund të blihen ato.
Blerësi duhet të regjistrohet në platformën online dhe një përdorues mund t’i blejë më së shumti deri në katër bileta zakonisht, për shkak të kërkesave të mëdha, pavarësisht se ligji thotë se një njeri mund t’i blejë deri në shtatë sosh.
E gjitha që kërkohet në platformën e tanishme online janë një email, emri dhe mbiemri. Biletat zyrtare kushtojnë nga 10 euro më e lira, deri në 100 euro më e shtrenjta. Euforia në kulm dhe stadiumi i vogël bëjnë që kërkesat për bileta të jenë shumë më të mëdha sesa kapaciteti prej rreth 12.500 ulësesh i Stadiumit Fadil Vokrri. Në të kaluarën ka pasur deri në 200.000 kërkesa për bileta.
Të gjitha biletat për ndeshjen e së martës mbrëma u shitën sa hap e mbyll sytë në paraditen e 26 marsit.
Çuditërisht ato u shitën shpejt, pavarësisht se kur u nxorën në shitje, askush nuk e dinte nëse Kosova do të luante vërtet në finalen e plajofit për kualifikim në Kupën e Botës që mbahet në verë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, duke qenë se ajo ende nuk e kishte zhvilluar ndeshjen gjysmëfinale.
Dhe, kur Kosova e mposhti 4:3 Sllovakinë në Bratisllavë mbrëmjen e asaj dite, dhe kaloi në finalen e plajofit, interneti u vërshua si me kërkesa për bileta, ashtu edhe me oferta për shitjen e tyre në treg të zi.
Kryetari i grupit zyrtar të tifozëve të Kosovës, Lulzim Berisha, tha se grupi nuk ka bileta për të ofruar për të tjerët, edhe pse e kupton “interesimin marramendës, me përmasa të paimagjinueshme”.
Taulant Dajaku, ish-futbollist dhe tani analist futbolli, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se kërkesat e mëdha për këtë ndeshje janë të natyrshme duke ditur se Kosova me një fitore do të siguronte pjesëmarrjen për herë të parë në një kampionat të madh, qoftë botëror apo evropian, qëkurse u pranua si kombëtare para një dekade.
“Kërkesat, në rastin e veçantë, tregojnë dëshirën e madhe për të qenë në një event të rëndësisë historike siç ka kjo ndeshje meqë jemi një hap afër një arritjeje kulminante si kualifikimi në një nga eventet më të mëdha sportive në botë, që për Kosovën si shtet do të ishte jo vetëm arritje sportive, por edhe diplomatike dhe që do e bënte eventin e dytë më të rëndësishëm në historinë shtetërore, pas shpalljes së pavarësisë”, thotë Dajaku.
Tregu i zi
Në ditët pas fitores së Kosovës në Bratisllavë, rrjetet sociale u mbushën me kërkesa për bileta, por edhe me oferta për shitjen e tyre në treg të zi. Me një kërkim të thjeshtë në rrjete sociale për biletë për ndeshjen Kosovë-Turqi, mund të hasje në shumë oferta me çmime deri në 200 euro për biletë.
Radio Evropa e Lirë bisedoi të premten me një shitës në tregun e zi, i cili kërkoi 200 euro për një biletë që normalisht kushton 10 euro. I kontaktuar përsëri disa orë më vonë, ky shitës tha se biletat nuk ishin më në shitje, pasi i kishte shitur tri për 800 euro në total.
Një shitës tjetër i tha REL-it se do t’i shiste edhe më shtrenjtë në ditën e ndeshjes. Gjithashtu, ka thashetheme se biletat në treg të zi po iu shiten edhe turqve. Turqit e përbëjnë mbi 1 për qind të popullsisë së Kosovës, sipas regjistrimit të fundit, ndërsa ka edhe shumë punëtorë turq në kryeqytet. Berisha u bëri thirrje autoriteteve t’i hetojnë dyshimet për shitjen e biletave në të zezën.
”Jemi të shqetësuar nga zërat që po qarkullojnë se biletat e Kosovës po shiten në tregun e zi dhe po përfundojnë te tifozët mysafirë. Ftojmë Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me organet tjera të rendit dhe të drejtësisë, të reagojnë ndaj keqbërësve”, shkroi ai në Facebook.
Pse biletat përfundojnë në treg të zi?
Nuk është habi që biletat e një ndeshjeje të rëndësishme futbolli përfundojnë në treg të zi në Kosovë, apo kudo tjetër. Në Kosovë ka ndodhur shpesh, posaçërisht kur Kombëtarja ka luajtur ndeshje të rëndësishme. Ka disa arsye pse ato shiten lehtë në treg të zi dhe kalojnë pa ndonjë ndëshkim. Platforma e kontraktuar nga FFK-ja për shitjen e biletave nuk kërkon nga blerësi mjet identifikimi, por thjesht një email ku mund ta pranosh biletën dhe emrin e mbiemrin e vendosur në biletë.
Pra, bileta nuk personalizohet dhe, pavarësisht kush e ka blerë, secili mund ta përdorë atë për të hyrë në stadium, edhe pse ka paralajmërime se bileta nuk mund të rishitet dhe se nevojitet mjet identifikimi për të hyrë në stadium.
Kur një tifoz shkon për të hyrë në stadium në ditën e ndeshjes, atij thjesht i skanohet bileta përmes barkodit, por nuk i kërkohet të identifikohet përmes ndonjë dokumenti si mbajtës i asaj bilete. Në këtë mënyrë, një tifoz që e ka blerë biletën në të zezën mund të futet në stadium pa telashe. Dajaku thekson se fakti që Federata lejon shitjen e biletave të papersonalizuara, mundëson rishitjen e tyre në treg të zi.
“Në kohën në të cilën jetojmë ne, do të duhej të kishim një platforme siç ka Evropa, kur Federata shet bileta të këtë opsionin e personalizimit të tyre me të dhënat personale me të cilat pastaj futesh në stadium. Por, ne s’e kemi, sepse keqorganizimet nuk janë të rastësishme kur nuk ke transparencë. Këto janë problematika të vazhdueshme tonat”, përfundon ai.
Çfarë thotë ligji?
Ligji për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, në pikën 8 të nenit 10, thotë se ndalohet rishitja e biletave, por nuk e definon atë dhe as nuk tregon se cilat janë ndëshkimet e mundshme. Megjithatë, në pikën 1 të këtij neni thuhet se organizatori duhet të mbajë dëshmi për identitetin e njerëzve që ua shet biletat. Eksperti ligjor dhe arbitri i Gjykatës Evropiane të Arbitrazhit (ECA), Fisnik Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë se i takon FFK-së t’i verifikojë biletat që i shet.
“Organizatori duhet të krijojë mekanizëm të verifikimit të biletave që janë të personalizuara”, thekson Salihu.
Prokuroria Speciale e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse po i heton dyshimet për shitjen e biletave në treg të zi për çmime shumëfish më të larta sesa çmimi real. As Federata e Futbollit nuk iu përgjigj kërkesës për koment, por në një reagim në rrjetet sociale, ajo shprehu keqardhje që shumë tifozë nuk mund të marrin biletë dhe tha se, në bashkëpunim me kryeqytetin, do të vendosë ekrane të mëdha në sheshet e qytetit për t’iu mundësuar adhuruesve ta shikojnë ndeshjen bashkërisht./REL









