Kryedemokrati Sali Berisha, përmes një video-mesazhi në rrjetin e tij facebook, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Londrën Lindore, të votojnë Anila Skejën nën siglën e Partisë Konservatore për zgjedhjet lokale që do të mbahen në maj.
Sipas Berishës, Anila ka një karrierë të gjatë në Partinë Konservatore dhe gëzon vlerësime të mëdha nga kjo parti.
Postimi i Berishës
Mesazh drejtuar bashkatdhetarëve tanë në Britaninë e Madhe!
Videomesazhi i plotë:
Të dashur bashkëkombase dhe bashkëkombas të mi me banim në Barnetin Lindor, në Londër, Britaninë e Madhe,
Me këtë mesazh dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, por gjithashtu t’ju ftoj që të mbështesni kandidaten e Partisë Konservatore, një demokrate e zjarrtë, znj. Anila Skeja, e cila është një përfaqësuese dinjitoze e gruas dhe vajzës shqiptare. Një përfaqësuese dinjitoze e të gjithë komunitetit të Barnetit Lindor.
Anila ka një karrierë të gjatë në Partinë Konservatore dhe gëzon vlerësime të mëdha nga kjo parti. Ajo studion aktualisht për master në King’s College, por ka pasur gjithmonë kohën që, krahas veprimtarisë private, t’i përkushtohet komunitetit dhe problemeve të tij.
Ndaj, ju ftoj të votoni për Anila Skejan, një përfaqësuese plotësisht të merituar të komunitetit shqiptar, e cila do të nderojë familjen, komunitetin dhe të gjithë zonën si anëtare e parlamentit vendor të Barnetit Lindor.