Televizioni italian RAI3 ka realizuar një dokumentar për situatën e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri. Në reportazh theksohet se vendi është kthyer në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave të krimit. Pjesë e dokumentarit ka qenë edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha i cili ka bërë akuza të forta për menaxhimin e portit të Durrësit.
“Porti i Durrësit është një port i lirë. Po, është një port i lirë për kokainë dhe droga. Ky është porti i Durrësit. Ky port administrohet plotësisht nga karteli Troplini.
Troplini është më i fuqishmi ndër kartelet shqiptarë që merret me kokainë, me lidhje shumë të ngushta me klanet shqiptare në Amerikën Latine dhe Itali. 90% e kokainës të kapur në Itali vjen nga Shqipëri” tha ai.
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi rrëfen skemën që përdoret për të pastruar paratë. “Ekonomia jonë është e vogël, me një volum prej rreth 25 miliardë euro PBB në vit. Në 5 ose 6 vitet e fundit kemi konstatuar 4.7 miliardë euro që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare.
Kjo do të thotë se futja e parave të pista në ekonomi është vërtet shumë e lartë dhe grumbullimi i burimeve financiare në duart e segmenteve të krimit të organizuar është aq i madh, sa ata po përpiqen të investojnë në aktivitetet më fitimprurëse, si rrokaqiejt dhe ndërtesat, siç mund ta shihni nga këtu” thotë ai.









