Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes ambasadës në Tiranë, ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në Shqipëri për një rrezik të shtuar nga grupet e lidhura me Iranin, pas tensioneve aktuale në Lindjen e Mesme. Sipas njoftimit, këto grupe mund të synojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, elementë të opozitës iraniane në Shqipëri, si dhe vende publike si atraksione turistike, qendra tregtare, hotele, klube nate dhe restorante.
Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH1, deklaroi se Shqipëria nuk është e vetme përballë sulmeve kibernetike. Ai theksoi se vendi ka përjetuar dy sulme të mëdha nga grupe iraniane, njëri para tre vjetësh dhe tjetri kohët e fundit, por investimet në mbrojtje kanë reduktuar dëmet.
Klosi nënvizoi se anëtarësia e Shqipërisë në NATO dhe partneritetet evropiane sigurojnë mbrojtje globale, ndërsa aleanca me SHBA është një garanci e shtuar. Ai bëri thirrje për vëmendje, por jo për frikë, duke qetësuar qytetarët se vendi ka kapacitete dhe mbështetje ndërkombëtare për të përballuar kërcënimet kibernetike.
“Njoftimi kur vjen nga Ambasada Amerikane kërkon shumë më tepër vëmendje nga strukturat e ruajtës, mbrojtjes. Nuk është një lajmë që vjen si ri për ne sepse kemi qenë nën sulm nga grupet iranian në kuadër të luftës kibernetike dhe është hera e dytë që një sulm i madh vihet re në këtë aspekt dhe ky është pjesë e luftës konvencionale që bëhet tani sepse lufta nuk bëhet vetëm me armë. Kemi pasur dy sulme, i pari ai para 3 viteve që realisht ka qenë shumë i vështirë, patëm investime të fushës dhe kjo e bëri që të ishim më të mbrojtur dhe sulmi i dytë që ndodhi para pak javësh nuk pati të njëjtën dëme si ai 3 vite më parë por ajo që realisht duhet të qetësoj qytetarët shqiptar dhe opinionin publik është se fakti që jemi pjesë e aleancës më të madhe të botës siç është NATO apo fakti që jemi pjesë e partneriteteve evropianë për sa i përket mbrojtjes në çdo aspekt na jep garanci që jemi pjesë e mbrojtjes globale. Po ashtu aleanca jonë me SHBA është e evidentuar tashmë, një aleancë që ka pasur frytet e saj dhe besoj që duhet të ketë padyshim vëmendje por jo frike dhe terror. Nuk është e thjeshtë dhe padyshim njerëzit e ndjejnë”, u shpreh Klosi.
Klosi shtoi se mbrojtja shtrihet në disa nivele: territoriale, ajrore dhe kibernetike, dhe se sulmet e mëparshme kanë forcuar sigurinë e vendit.
Ai bëri thirrje që qytetarët të jenë të qetë, duke theksuar se Shqipëria është pjesë e partneriteteve globale dhe nuk përballet e vetme me këto kërcënime.
“Ajo që i them me forcë qytetarëve shqiptar është se nuk jemi të vetëm në këtë përballje, jemi pjesë e aleancës dhe si e tillë kemi mbrojtjen që aleanca i ofron të gjithë shteteve partnere dhe ajo që është për tu theksuar është e gjithë politika për të qenë pjesë aktive e kësaj aleance. Për sa i përket asaj se çfarë do të thotë të mbrohesh është diçka tjetër të mbrohesh në territor, tjetër të mbrohesh nga ajri dhe tjetër të mbrohesh në hapësira kibernetike është diçka tjetër“, tha ai./ RTSH









