Sot Kuvendi do të mblidhet në një seancë plenare me një rend dite të nxehtë ku është planifikuar një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin. Diskutimet do të fokusohen te emërimet në radhët e policisë dhe situata e kriminalitetit brenda saj.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe një interpelancë e kërkuar nga Jorida Tabaku me kryeministrin Rama, lidhur me Korporatën Shqiptare të Investimeve. Ende nuk dihet nëse kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm personalisht në seancë apo do të delegojë përfaqësimin.
Sot pritet që të miratohen anëtarët e rinj të Bordit të Autoritetit të Konkurrencës, ku nga Partia Socialiste janë propozuar Denar Biba dhe Eldian Balla. Po ashtu, me propozim të Këshillit të Ministrave, pritet të emërohet Diana Dervishi si anëtare e Këshillit Drejtues të AKEP.









