-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Bytyçi: Një presidente si Vjosa Osmani, minus miqësinë me Edi Ramën!

Kryesoret

Presidentja Vjosa Osmani dorëzoi detyrën tek kryetarja e parlamentit të Kosovës, Albulena Haxhiu. Opozita nuk e deshi Albulenën për kryetare të parlamentit, tani e ka presidente të vendit. Së paku për pak kohë (javë ose muaj)! Ndërsa Osmani dorëzoi detyrën e saj pesëvjeçare, secili prej nesh ka të drejtën e zotit ta thotë opinionin e tij për punën, performancën dhe përkushtimin e saj ndaj detyrës dhe shtetit. Bilanci i saj është shumë pozitiv. Është një bilanc që pak kush, përveç Ibrahim Rugovës dhe Fatmir Sejdiut, e ka arritur. Ibrahim Rugova është ikonë e pazëvendësueshme, së paku deri në këto momente. Fatmir Sejdiu është presidenti që udhëhoqi negociatat për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe de facto shtylla e shtetit dhe kushtetutës së vendit.

Ndërsa Vjosa Osmani e ushtroi detyrën e kryetarit të shtetit në një situatë tjetër. Kur Kosovës i duhej të shtrinte sovranitetin e saj edhe në veri të vendit. Motori i shtrirjes së këtij sovraniteti u bë qeveria Kurti. Por mbrojtëse e punës së tij u bë Vjosa Osmani. Nëse Kurti veproi me vendosmëri dhe në papajtueshmëri edhe me rekomandimet e aleatëve për ta shtri sovranitetin dhe mbrojtur integritetin territorial të Kosovës në veri të Mitrovicës, Vjosa Osmani zbuti qëndrimet reaguese e ndonjëherë arrogante të këtyre aleatëve. Kur Kurti për arsyen e theksuar më lart u refuzua nga SHBA dhe disa vende të Bashkimit Evropian, vendin e tij në përfaqësimin e Kosovës e kishte presidentja e vendit. Kur në tavolinat e bisedimeve mungonte përfaqësimi i kryeministrit, aty gjendej zonja Osmani. Kur përfaqësues të diplomacisë evropiane dhe amerikane sulmonin ose kritikonin qëndrimet e Albin Kurtit, ishte Vjosa Oamani që e mori në mbrojtje kryeministrin dhe vetë Kosovën.

Në këto pesë vite pati gjithashtu raste kur presidentja e Republikës së Kosovës shigjetoi me kritika të hamendësuara ose edhe të drejtpërdrejta kryeministrin Kurti. Por unë i kam lexuar ato kritika si shprehje e domosdoshme e taktizimit për të fituar besimin e aleatëve perëndimorë. Është krejt e natyrshme se për ta fituar këtë besim do të duhej një minimum kompromisi kritik ndaj atij që konsiderohej si “problem” i thellimit të konfliktit midis Kosovës dhe aleatëve të saj. Pavarësisht faktit se koha provoi që kryeministri Kurti kishte të drejtë. Dhe se vendimet e tij qenë padiskutim shkaku i suksesit të Kosovës.

Megjithatë në vizion, në ide dhe në vlerësimin e situatës të dy, Albini dhe Vjosa, ishin në një linjë. As Kurti dhe as Osmani nuk çeduan për asnjë moment në vlerësimin kritik për qëndrimet armiqësore të presidentit të Serbisë ndaj Kosovës. Të dy këta e mbrojtën me vendosmëri pikëpamjen se me Serbinë nuk duhet e nuk duhej bërë kompromis me territorin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Vjosa Osmani u dëshmua një diplomatë e lojtare e mrekullueshme në lojën e madhe gjeopolitike. Për këtë shkak ajo e rriti autoritetin e saj si dhe prestigjin e Kosovës, duke marrë gjithashtu disa njohje shumë të rëndësishme ndërkombëtare.

Megjithatë edhe presidentja Osmani gaboi në disa hapa. Unë kam paralajmëruar vazhdimisht dhe kam këshilluar prej së paku dy vitesh se një miqësi e ngushtë me Edi Ramën ishte e panevojshme e madje e dëmshme si për Kosovën edhe për vetë presidenten e vendit. Dhe këtu nuk e kisha fjalën për marrëdhëniet institucionale midis dy shteteve. Ato janë të domosdoshme, edhe sikur vëllau prej një nëne i Aleksandër Vuçiq të vinte e të bëhej kryeministër i Shqipërisë. Këshilla dhe kritika ime ishte për atë se shihja një afrim personal midis Vjosës dhe Edi Ramës. Shihja një lloj intrige të kryeministrit shqiptar për ta përdorur marrëdhënien me presidenten e Kosovës si sfidë kundër kryeministrit Kurti. Ndërkaq në fundin e karrierës së zonjës Osmani si presidente e Kosovës Edi Rama “në vend që ta puthte e kafshoi atë”! E shpalli Vjosën aleate të Hashim Thaçit, ndërkohë që si politikane ajo kishte fituar autoritet e prestigj në Kosovë me kundërshtimin e politikave të paraardhësit të saj në presidencë.

Zonja Osmani sot e kësaj ditë nuk i dha një përgjigje qytetarëve për këtë qëndrim të Edi Ramës, i cili në maskën e miqësisë e goditi presidenten në thelbin e besimit të saj të krijuar në publik. Refuzimi i mazhorancës për ta patur atë si presidente në një mandat të dytë kishte kësisoj dy objektiva: – Së pari zoti Kurti çoi mesazhin se “Nuk është Vjosa kundërshtare e besuar e politikave korrupsioniste dhe nepotiste të Hashim Thaçit, porse është vetë Kurti kundërshtar kryesor i atyre politikave”! Së dyti, se marrëdhënia e presidentes me kryeministrin e Shqipërisë është një kompromis shumë i madh në dëm të Kosovës. Nëse heqim miqësinë e ngushtë me Edi Ramën, Vjosa Osmani mbetet një presidente nderi për Kosovën dhe e Kosovës!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit