Me 34 vota për, 49 kundër dhe 7 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar të premten një rezolutë që kërkonte uljen e akcizës dhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për naftën.
Për këtë rezolutë të propozuar nga subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe të mbështetur nga partitë e tjera opozitare, Kuvendi debatoi më 3 prill, por votimi për të ishte shtyrë në mungesë të kuorumit.
Çmimet e naftës në mbarë botën, përfshirë edhe në Kosovë, janë rritur që kur ka nisur konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin më 28 shkurt. Më 8 prill, palët kanë arritur marrëveshje për armëpushim dyjavor.
Gjatë debatit për këtë rezolutë, nga kabineti qeverisës kundërshtuan kërkesat e partive opozitare për uljen e akcizës dhe heqjen e TVSH-së, me kryeministrin, Albin Kurti që tha se në të kaluarën kur është hequr apo zvogëluar TVSH-ja nuk ka pasur asnjë efekt.
Në tekstin e rezolutës kërkohej: ulja e akcizës nga 36 centë në litër në 20 centë në litër derisa të stabilizohen çmimet në bursat ndërkombëtare dhe ulja e përkohshme e TVSH-së në karburante nga 18 në 8 për qind deri në stabilizim të çmimeve.
Sipas Ministrisë së Tregtisë, nafta në Kosovë më 10 prill mund të shitet me çmimin më lartë prej 1.89 eurosh.
Rreth një javë pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, Kosova vendosi masa mbrojtëse për çmimin e naftës.
Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.
Rezoluta për “mbrojtjen e të vërtetës së luftës” në Kosovë
Ndërkaq, gjatë seancës plenare, me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan një rezolutë që kërkon që të mbrohet “e vërteta historike e luftës në Kosovë më 1998-1999”.
Rezoluta u propozua nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, pas një ekspozite të vendosur në sheshin e Prishtinës në mars, mbi masakrat në Kosovë, që u tha se kishte të dhëna të pasakta.
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, lexoi tekstin e rezolutës, ku dënohet shtrembërimi, relativizimi apo paraqitja e pasaktë e fakteve që lidhen me luftën e fundit në Kosovë.
“Rezoluta dënon nismat, si ekspozita e fundit e organizuar në hapësirat publike në Prishtinë që me pasaktësi mbi të dhënat për masakrat në Kosovë nxisin reagime të gjera dhe provokojnë ripërjetimin e dhimbjeve, duke rrezikuar deformimin e së vërtetës dhe fakteve”, u tha në tekstin e rezolutës.
Rezoluta po ashtu kërkon që organet e drejtësisë të hetojnë nëse ka vepra penale lidhur me paraqitjen e fakteve në këtë ekspozitë.
Prokuroria Speciale interviston Shkëlzen Gashin lidhur me ekspozitën për masakrat në Kosovë
Ekspozita u largua nga Komuna e Prishtinës ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, që kishte financuar një pjesë të ekspozitës të organizatave joqeveritare INTEGRA dhe ADMOVERE, tha se organi ligjvënës mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, por kjo mbështetje jepet “pa ndërhyrë në përmbajtje të projekteve të tilla”.
Pas reagimeve të shumta, Shkëlzen Gashi, në emër të organizatave ADMOVERE dhe INTEGRA se ekspozita është realizuar bazuar në librin e tij “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të botuar në vitin 2024, ndërsa për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, organizatat janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, aktiviste serbe për të drejtat e njeriut.
Megjithatë, Fondi për të Drejtën Humanitare ka reaguar duke thënë se dhënat e paraqitura të ekspozitë në disa raste japin pasqyrë të pasaktë që krimeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje interpretimi, por “me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave”.
Ndërkaq, me urdhër të Prokurorisë Speciale, banesa e Gashit është bastisur më 30 mars dhe ai është marrë në pyetje nën dyshimet se ka kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”./REL









